Ministry of Education and Sports

Trashëgimia kulturore, programi “Klasa e gjelbërt” në Apoloni

Sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, ishte e pranishme në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, ku Shkolla Franceze e Tiranës në bashkëpunim me, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Kulturës dhe Ambasadën e Francës në Shqipëri organizojnë aktivitetin e titulluar “Klasa e gjelbërt”.

Qëllimi i këtij aktiviteti është sensibilizimi i fëmijëve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisit, si dhe edukimi i tyre në kushtet e peizazhit kulturor, përmes njohjes së drejtpërdrejtë në terren me gjurmët e qytetërimit dhe kulturës së lashtë europiane që përmban Apolonia.

Çelja e kësaj ceremonie të “Klasës së gjelbër” u zhvillua në mjediset e Parkut Apolonia, në prani të ministres Nikolla, ministres Kumbaro dhe Ambasadores Moro si dhe  personaliteteve të kulturës dhe arsimit në rreth.

Në këtë aktivitet janë ftuar të marrin pjesë gjithashtu edhe nxenës të shkollave 9-vjecare të qytetit të Fierit si dhe shkolla “Miti Stroni”e fshatit Pojan. Për katër ditë me rradhë nxënësit pjesëmarrës në këtë aktivitet do të ndjekin një program të posaçëm me gërmime të improvizuara, vizita në muze dhe shëtitje arkeologjike, i cili është hartuar nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik.

Shkolla Franceze e Tiranës është një institucion arsimor i akredituar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe e njohur zyrtarisht nga Ministria franceze e Arsimit. Programet e saj shkollore, të barasvlefshme me ato të sistemit edukativ francez, synojnë pajisjen e nxënësve me dije dhe vlera universale si toleranca, humanizmi apo kurioziteti intelektual.

Në të njëjtën kohë, po në këto ambiente, ministrja Nikolla së bashku me ministren Kumbaro dhe Ambasadoren Moro, ndoqën festën e abetares të zhvilluar nga shkolla 9 vjeçare “Miti Stroni” e fshatit Pojan, në mjediset e amfiteatrit të Apolonisë.

Ministrja Nikolla, duke ju uruar të gjithë vogëlushve festën e abetares, ju shprehu atyre dhe prindërve të tyre, gjithë vullnetin dhe angazhimin e Ministrisë që ajo drejton për t’u gjendur gjithmonë pranë tyre, për të siguruar edukim cilësor dhe kushte më të mira mësimdhënie.