Ministry of Education and Sports

TOEFL Junior, provimi i standardizuar i gjuhës angleze

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot e pranishme në ambientet e shkollës së Mesme të Përgjithshme ‘Petro Nini Luarasi’, gjatë prezantimit të projektit ‘TOEFL Junior’.

Projekti pilot TOEFL Junior® test fut një standard të mirënjohur ndërkombëtarisht të gjuhës Angleze, në sistemin arsimor publik (K10 – K12). Për herë të parë 11.000 maturantë do të marrin testin e TOEFL Junior® në kuadër të Maturës Shtetërore 2016 si provim me zgjedhje. Testi mat aftësitë gjuhësore deri në nivelin B2, në mënyrë të harmonizuar me kurrikulën e sistemit arsimor të mesëm të lartë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj, deklaroi se ky proces është një tjetër hap, në drejtim të standardizimit me kritere bashkëkohore që çon në forcimin e cilësisë në sistemin e arsimit parauniversitar.

“Janë trajnuar 1200 mësues të gjuhës angleze, janë para testuar. Falë këtij trajnimi do të përfitojnë 120.000 nxënës, të cilët përfitojnë indirekt falë kualifikimit të mësuesve. 50 ekspertë të gjuhës angleze do të përmirësojnë kurrikulën e gjuhës angleze, falë dhe adresimit të problemeve që do të rezultojnë nga testimi i 11.000 studentëve.” tha ministrja Nikolla.

Ministrja tha se i gjithë projekti realizohet falë mbështetjes së Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe implementimi i projektit do të realizohet nga ETS Global, organizata përgjegjëse e TOEFL e do të menaxhohet nga AADF në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

“Matura Shtetërore, siç është tashmë e konfiguruar, si provim përmbyllës i ciklit të formimit parauniversitar, dhe pse me peshë në notën mesatare që shërben si bazë për vijimin e studimeve të larta, do të jetë gjithnjë e më shumë një moment ku do të testohet cilësia e sistemit arsimor nëpërmjet testimit të formimit që ky sistem u jep nxënësve.” tha Nikolla.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Kryetari i Bordit të AADF-së Z. Michael D. Granoff,  i cili vlerësoi zhvillimin e këtij aktiviteti, tha se projekti mbështetet dhe financohet me një vlerë investimit prej $ 250,000.

ETS Global, organizata përgjegjëse e TOEFL, është kompania ndërkombëtare më e madhe në fushën e testimit të gjuhës angleze, me Zyra rajonale në 180 vende të botës , ajo korrigjon mbi 50 milionë teste TOEFL në vit.  Sistemi i vlerësimit të testit mat dijen e nxënësit dhe identifikon nevojat për të përmirësuar nivelin gjuhësor të nxënësit.