Ministry of Education and Sports

Titull "Sporti në Shkolla: Investim në masivizimin dhe cilësinë e sportit shqiptar"

Sot, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ishte e pranishme në aktivitetin e organizuar në ambientet e palestrës së shkollës së “Kuqe”, me temë “Sporti në Shkolla: Investim në masivizimin dhe cilësinë e sportit shqiptar”. 

Përpos prezantimit të risive në kuadër të politikave të ndërmarra në fushën e sportit në shkolla, Ministrja Nikolla asistoi në demonstrimin e nismës “Matja e treguesve të masës trupore të të gjithë nxënësve në shkolla”, prezantuar nga Zëvendësministri i Sportit, Rauf Dimraj dhe disa mësues të edukimit fizik.

Tek sa theksoi rëndësinë e kësaj nisme, ministrja Nikolla u shpreh se ky moment, është një hap tjetër i rëndësishëm që tregon vullnetin e MAS për t’a kthyer sportin në një pjesë themelore të edukimit të brezave si një investim i dyfishtë: në edukim dhe në shëndet. 

 

“Duke investuar sot $1 për sportin në moshë të hershme, nesër do të kemi kursyer $3 për sistemin shëndetësor. Ndaj, sigurisht që shtimi i tre orëve të edukimit fizik, nuk do të mjaftojnte që ne t’i përgjigjeshim cilësisë së shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve për secilin nga nxënësit e kësaj shkolle dhe ata kudo në Shqipëri. Pikërisht, platforma e Ministrisë së Arsimit dedikuar kësaj situate të re, jo vetëm është e mirë ideuar, por ajo është edhe e mirë konsultuar me të gjithë specialistët e sportit, por dhe të shëndetit në vend. Ajo do të implementohet në të gjitha shkollat e Shqipërisë, çka do bëjë që ora e edukimit fizik të lidhet me një jetë të shëndetshme për të gjithë nxënësit.”- u shpreh Ministrja Nikolla.

 

Ministrja e Arsimit, informoi se paralelisht, qeveria shqiptare ka investuar edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së terreneve sportive, duke ndërtuar 44 të tilla në qytetet kryesore të vendit. Këto terrene sportive do të vihen jo vetëm në shërbim të nxënësve, por edhe të komuniteteve dhe prindërve në kuadër të projektit për kthimin e ambientit të shkollës në një qendër komunitare. Nëpërmjet bashkëpunimit shkollë-prindër-komunitet synohet një performancë për një jetë më të mirë e të shëndetshme, për më shumë edukim fizik, për më shumë aktivitete sportive.

Ndërkaq, Ministrja Nikolla lançoi gjithashtu, nismën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për të themeluar Federatën Shqiptare të Sportit në Shkolla:

“Më lejoni t’ju bëj me dije një lajm të mirë. Shumë shpejt ne finalizojmë ngritjen e Federatës Shqiptare të Sportit në Shkolla, që do të jetë një mundësi krejt e re jo vetëm për të na anëtarësuar në Federatën Evropiane të Sportit në Shkolla, e më pas në atë botërore, por ajo që është më e rëndësishme, për ta vendosur procesin e futjes së 3 orëve të edukimit fizik në të gjithë sistemin tonë paraunivesitar, në një proces me baza shkencore dhe që shumë shpejt do të përkthehet në një situatë të re që lidhet me shëndetin në tërësi të të gjithë brezave.” – u shpreh Ministrja Nikolla

Në drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, janë ngritur shoqatat sportive të shkollave në sistemin arsimor para-universitar, proces i cili do të vijojë me krijimin e kësaj Federate Kombëtare. Paralelisht, po krijohen kushtet për ngritjen edhe të Federatës së Sportit në Universitete, si pjesë e harmonizimit të reformave në të gjithë sistemin arsimor.

Nga ana tjetër, nisma e matjes së treguesve të masës trupore të të gjithë nxënësve në shkolla, ka për qëllim krijimin e një “data baze” të dhënash të raportit peshë-lartësi trupore për indeksimin e masës trupore të nxënësit, e cila do të shërbejë si një udhërrëfyes për orientimin e politikave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në funksion të përmirësimit të shëndetit të fëmijëve shqiptar nëpërmjet edukimit sportiv.