Ministry of Education and Sports

"Tirana Open 1", një pol i ri kulturor

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla vizitoi sot, Festivalin e Librit dhe të Arteve “Tirana Open 1”  të çelur që prej datës 6 maj.

E pranishme në Festivalin i Librit në Pallatin e Kongreseve, Ministrja Nikolla e cilësoi këtë event të ri kulturor në kryeqytet si një pol kulture gjithëpërfshirës që sjell për nxënësit e të rinjtë një program të larmishëm për librin, artin vizual, kinemanë, muzikën, etj.

“Ky është viti i parë i Tirana Open dhe padyshim është një qendër e rëndësishme që do të vizitohet nga nxënësit e të rinjtë. Sot, ka shumë nxënës që janë shkëputur nga ora tradicionale e mësimit dhe i janë drejtuar këtij poli kulturor që mundëson një kontakt më të afërt me librin e me artin në përgjithësi”, tha Nikolla.

Ministrja e cilësoi këtë festival si një traditë të re pozitive që po krijohet për kryeqytetin ndaj garantoi mbështetjen e saj për këtë festival që, sipas saj, ndihmon më së miri në proceset e edukimit dhe i afron të rinjtë me kulturën e librit.

Festivali i Librit paraqet një panair gjithëpërfshirës të librit për  nxitjen e shkëmbimit kulturor mes autorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. 

“Tirana Open 1” paraqet për të parën herë një event të këtij lloji në Ballkan, duke sjellë së bashku nën një çadër një koleksion të shumëllojshëm të institucioneve kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare që paraqiten në një program të pasur shumë-disiplinor ekspozitash, ngjarjesh, dhe eventesh publike.