Ministry of Education and Sports

Të zhvillosh personalitetin e fëmijëve, do të thotë të mbrosh të ardhmen e tyre

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla mori pjesë në takimin e organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me fëmijët në nevojë speciale, fëmijë të komuniteti rom dhe egjiptian, fëmijë jetim dhe të mitur në nevojë ekonomike.  Një praktikë kjo e bazuar në ‘Artikullin 12’ të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve për përfshirjen e tyre në vendimmarrjet që ndikojnë në jetën e tyre.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Nikolla vlerësoi maksimalisht këtë nismë pasi numri i fëmijëve në nevojë në vendin tonë nuk është i vogël. “Sot nuk është i vogël numri i fëmijëve në nevojë, këtu i referohem fëmijëve që sot enden rrugëve prej vështirësive ekonomike, fëmijëve jetim, fëmijëve që botën rreth tyre e shikojnë nga dritarja e kullave të ngujimit, fëmijëve që për arsye të ngjyrës apo përkatësisë etnike diskriminohen, e shumë fëmijë të tjerë. Pikërisht për shkak të kësaj gjendje, kjo situatë kërkon ndërhyrjen tonë të përbashkët, bashkërendim të forcës sonë institucionale, por dhe bashkëpunimin e shoqërisë civile, prindërve dhe komunitetit ku këta fëmijë jetojnë.  Ky realitet na imponon ne, që bashkëpunimi me të gjitha ministritë e linjës të mundësoje kushtet për sigurinë e jetës së këtyre fëmijëve, transportin për ata fëmijë që jetojnë në zona të thella dhe të largëta, rigrupimin e shkollave në zonat e thella, por nga ana tjetër sëbashku me shoqërinë civile ne duhet të mundësojmë fushata sensibilizuese për të projektuar, promovuar dhe mbështetur vlerat e qytetarisë, vullnetarizmit, tolerancës dhe respektin ndaj diversitetit, si një shoqëri me principe, të drejta dhe detyrime”, deklaroi  Ministrja Nikolla.

Ministrja e Arsimit pasi vlerësoi nismën e MMSR-së theksoi se është shumë e qartë që për përfaqësuesit e institucioneve dhe të qeverisë kjo luftë bëhet në mbrojtje të së ardhmes së vendit tonë. “Kjo luftë nuk mund të fitohet pa një partneritet midis komunitetit, shkollës dhe familjes. Ne si politikanë e kemi shumë të qartë në vizionin tonë, se pa krijuar dhe mbrojtur ambientet ku këta fëmijë zhvillojnë personalitetin e tyre nuk do të kemi bërë asgjë për të mbrojtur të ardhmen e tyre. Ministria e Arsimit do të bëjë publik shumë shpejt një projekt që unë e kam shumë për zemër, atë të ‘shkollave si qendra komunitare’, u shpreh znj. Nikolla.

Në përfundim të diskutimeve, problematikave dhe mundësisë së bashkërendimit ndërinstitucional për realizimin e objektivave që përmirësojnë kushtet dhe cilësinë e jetës së fëmijëve në nevojë speciale, këta të fundit i drejtuan disa pyetje përfaqësuesve të qeverisë, pyetje që ministrja Nikolla vlerësoi maksimalisht.  “Në këtë takim përmes pyetjeve tuaja të bukura dhe sinqerta na mblodhët si një skuadër e vetme, ne, përfaqësuesve të qeverisë. Pyetjet tuaja duhet të na motivojnë edhe më shumë në punën tonë dhe të na shtyjnë që të hartojmë një program të bazuar pikërisht mbi zgjidhjen e problemeve tuaja, në mënyrë që, në takimin e radhës ne të kemi përmbushur dhe realizuar detyrat e shtëpisë, kthimin në realitet të premtimeve që përmirësojnë jetën tuaj. Faleminderit”, përfundoi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla.