Ministry of Education and Sports

"Të pastrojmë Shqipërinë", një sukses

Rreth 112.000  vullnetarë, nxënës, mësues e prindër, janë bërë pjesë e aksionit “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, i cili u zhvillua ditën e djeshme në gjithë vendin, me mbështetjen e 13 Drejtorive Arsimore Rajonale.

Në fund të këtij aksioni, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, deklaroi sot, se kjo fushatë u realizua në masën 85% në gjithë sistemin arsimor, universitar dhe kryesisht atë parauniversitar.

“Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë” ishte një nismë e rëndësishme për sistemin e arsimit pasi alternoi dy momente të rëndësishme, atë të edukimit për të ruajtur mjedisin e pastër dhe momentin e aksionit kombëtar konkret në shërbim të mjedisit”, tha Malaj gjatë konferencës për mediat, ditën e sotme në MAS.

Sipas Malaj, kjo nismë do të vazhdojë me fushata te tjera, në drejtim të mbajtjes së mjedisit pastër dhe  riciklimit të produkteve të cilat do të edukojnë te nxënësit frymën e vullnetarizmit, humanizmit dhe të qytetarisë aktive.

Fushata sensibilizuese e ‘Green Tour 3’, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe adresimin e problemeve të ambientit përmes 12  Konferencave Rajonale kulmoi ditën e djeshme me aksionin për të mbledhur mbeturinat që janë të hedhura në rrugë, parqe, lumenj, liqene, plazhe, etj.

Për të gjithë vullnetarët u shpërndanë në fillim dorashka dhe qese për të pastruar mjediset e caktuara, në bazë të një harte të shpërndarë më parë.  Përveç  ambienteve të shkollave u pastruan edhe disa rrugë të qytetit dhe krahas aksionit të rinjtë e fëmijët përcollën në komunitetin e tyre edhe mesazhe sensibilizuese në mbrojtje të mjedisit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit është partneri kryesorë i nismës “Të pastrojmë Shqipërinë”, me qëllim mobilizimin e nxënësve dhe fëmijëve në një aksion vullnetar një ditor, për të pastruar vendin nga mbeturinat. Ky është viti i dytë që MAS mbështet këtë aksion kombëtar.