Ministry of Education and Sports

Të mbrojmë Pronësinë Intelektuale, duke edukuar gjeneratën që po rritet

Ditën e premte në ambientet e Shkollës “Sinan Tafaj” në Tiranë, u zhvillua faza finale e Konkursit Kombëtar “Të mbrojmë Pronësinë Intelektuale, të edukojmë gjeneratën që po rritet” me shkollat e ciklit 9-vjeçar dhe ato të mesme. Për gjatë gjithë muajit prill janë zhvilluar konkurse me shkollat pjesëmarrëse nga çdo DAR i Republikës së Shqipërisë, duke zgjedhur 2 shkolla fituese, një nga shkollat 9-vjecare dhe një nga shkollat e mesme.

Në kuadër të këtij aktiviteti që vjen në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, ditë e cila festohet në mbarë botën nga shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale çdo 26 prill, ZSHDA në bashkëpunimë me Drejtoritë Arsimore Rajonale kanë organizuar aktivitete, të cilat konsistojnë në një konkurs me rreth 50 pyetje  nga fusha e të drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale në tërësi, që do të zhvillohet në qarqet kryesore të vendit me shkollat e mesme dhe ato të ciklit 9 – vjeçar (klasat e 8-ta dhe të 9-ta) në nivel Drejtorie Arsimore Rajonale.

Edukimi dhe informimi për gjeneratën e re që po rritet sjell uljen e nivelit të piraterisë dhe shkeljeve ne një vend të caktuar, eksperiencë kjo e provuar në shumë vende të zhvilluara.

Ndërgjegjësimi i komunitetit dhe i shoqërisë në tërësi si dhe arsimimi në këto çështje, janë ndër shtyllat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Zbatimit të të Drejtave të PI 2010-2015. Sa më i madh të jetë informimi i konsumatorit për rëndësinë dhe rolin e të drejtave të PI-së, aq më i ulët do të jetë niveli i piraterisë dhe shkeljeve të tjera në vend.

E pranishme në këtë aktivitet, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj, duke vlerësuar këtë nismë dhe falëndëruar organizatorët dhe pjesëmarrësit u shpres se: “Jam këtu sot, për të treguar që shkolla jonë është qendër e vatrës të promovimit të vlerave konkrete, të nismave dhe inisiativave konkrete të cilat fillojnë me aktivitete dhe përfundojnë duke u bërë pjesë e një sistemi kurrikular në edukimin e të drejtës së autorit si një e drejtë e krijimit dhe e vlerave intelektuale. Kam kënaqësinë sot që ne, jemi pjesë e dy ministrive të linjës, në partneritet me Drejtorinë e Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit, Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës ‘Arbnori’, në sinergji pozitive me Ministrinë e Kulturës, duke treguar që tashmë sistemi i arsimit është një sistem gjithëpërfshirës ku vlerat reale qëndrojnë pikërisht te edukimi i të rinjve dhe te vlerat e tyre në garën e drejtë për treguar modele referuese. Ne si Ministria e Arsimit, në zhvillim të kurrikulave të reja, jemi duke punuar për ta integruar këtë produkt në atë që quhet novacioni i ri në qasjen e kurrikulës së re, për të futur nocionet bazë që në sistemin parashkollor, pasi kjo do të jetë një nga shtyllat më të forta për luftën kundër plagjiaturave që ndodhin në nivele universitare apo doktorale, për të treguar kështu që atje ku vendosen tullat e para të edukimit, atje dhe standarti është i sigurt dhe i garantuar.”

Gjatë ditës së konkursit do të shpërndahen cmime simbolike dhe certifkata për vendin e pare, të dytë dhe të tretë si dhe mjaft libra dhe mjete të tjera promocionale. Shkollat pjesëmarrëse në shkallë Drejtorie Rajonale Arsimore janë pajisur me çertifikatë pjesëmarrje ashtu si dhe çdo nxënës i përfshirë në konkurs. Ky aktivitet i rëndësishëm u bë i mundur më mbështetjen e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Abcom, Microsoft Albania, International Chamber of Commerce (ICC) – Albania, Univers Promotion etj.