Ministry of Education and Sports

Të festojmë së bashku me fëmijët në nevojë

Në vazhdim të nismës “Të festojmë së bashku”, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, pranë nxënësve të shkollës “Niket Dardani” në Tiranë dhe “Bashkim Berisha” në Ndroq.

Nga  lidhjet e krijuara mes shkollave, me qëllim shkëmbimin e dhuratave për t’u gjendur pranë në këto ditë festash fëmijëve që kanë më shumë nevojë, për shkollën “Niket Dardani” shpërndanë dhurata nxënësit e shkollave 9-vjeçare, “Jeronim De Rada”dhe “Mihal Grameno”.

Ministrja, ashtu si edhe në shkolla të tjera, përshëndeti nxënësit që kanë përgatitur dhuratat, si një shembull solidariteti për fëmijët në nevojë.

“Ky organizim i ri në të gjitha shkollat e vendit i bën edhe më të bukura festat. Falenderoj të gjitha shkollat që janë bërë pjesë e kësaj nisme duke i shtuar një vlerë më shumë projektit tonë të madh Shkolla si Qendër Komunitare”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja ishte e pranishme edhe gjatë shkëmbimit të dhuratave që nxënësit e 4 shkollave 9-vjeçare në Tiranë, “1 Maji”, “Fan Noli”, “Vasil Shanto” dhe “Shkolla e Kuqe” kishin sjellë për shkollën “Bashkim Berisha” në Ndroq.

Gjatë vizitës në Ndroq, Ministrja Nikolla inspektoi edhe punimet në gjimnazin "Sadi Nuri", ku mësojnë 300 nxënës. Rikonstruksioni i kësaj shkolle është një investim i vlerës 24.498.398 lekë, nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.  Ky rikonstruksion ka për qëllim rritjen e cilësisë së objektit dhe shtimin e numrit të nxënësve.

Nisma “Të festojmë së bashku” do të vijojë në të gjitha shkollat e vendit, me qëllim shoqërizimin e nxënësve me njëri tjetrin, duke i ndihmuar dhe qëndruar pranë fëmijëve që janë në nevojë.