Ministry of Education and Sports

Të Angazhuar Kundër Diskriminimit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë sot në konferencën me temë, “Mbrojtja nga diskriminimi: Modelet pozitive dhe sfidat”, organizuar nga institucioni i Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Kjo konferencë kishte për qëllim të ndërgjegjësonte shoqërinë, institucionet, median dhe të tërhiqte vëmendjen e tyre dhe atë të organizatave ndërkombëtare për respektimin e së drejtës për mbrojtje nga diskriminimi. 
Ministrja Nikolla, si përfaqësuese e Qeverisë dhe si drejtuese e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, theksoi angazhimin e saj të palëkundur, personal dhe institucional, në luftën kundër diskriminimit të c¸farëdolloj forme. 
“Puna jonë duhet të nisë që në gjenezën e formimit të karakterit të fëmijëve tanë, ata të cilët nesër do të kenë në dorë të ardhmen e kombit tonë. Promovimi dhe pasqyrimi i vlerave të tolerancës, paqes, bashkëjetesës e respektit për diversitetin, duhet t’u rrënjosen brezave të rinj, që në hapat e para të edukimit të tyre qytetar”,- theksoi Ministrja Nikolla. Ajo e konsideroi këtë si momentin më të përshtatshëm për përfshirjen e këtyre vlerave në kurrikulat shkollore, duke ndarë eksperiencat më të mira arsimore me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë shoqërinë civile në fushata sensibilizuese dhe duke vlerësuar vullnetarizmin si një vlerë qytetare, e patjetërsueshme e c¸do nxënësi, që në hapat e para të shkollimit të tij. 
“Shkolla, përtej përcjelljes së dijes dhe edukatës qytetare, duhet të jetë promotore dhe përc¸uese e demokracisë dhe vlerave universale të të drejtave dhe lirive të njeriut në mbarë vendin. Prandaj, ne jemi të vendosur për të ofruar një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, pasi ky është një parakusht për një jetë më të mirë. Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ju konfirmoj mbështetjen dhe angazhimin për ta bërë shkollën më të hapur ndaj këtyre vlerave, më miqësore dhe të dashur për nxënësit, për ta bërë arsimin, cilësor dhe efektiv për të gjithë”,- u shpreh znj. Nikolla. 
Duke e vlerësuar sportin si një ndër metodat më të mira për të parandaluar diskriminimin, Ministrja Nikolla vuri theksin në shndërrimin e tij në një faktor të rëndësishëm për rritjen e mirëqenies së të rinjve dhe të gjithë qytetarëve. 
“Sporti, më së miri, mundëson farkëtimin e shprehive si: solidariteti, toleranca, bashkëpunimi e bashkëjetesa. Suksesi arrihet duke luftuar si një skuadër. Të gjithë së bashku: shteti, shoqëria civile, media, komuniteti dhe grupet e interesit, do të mund të thyejmë këtë tabu primitive, duke i shërbyer kauzës për integrimin sa më të shpejtë të vendit në familjen evropiane’’,- përfundoi fjalën e saj ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla.