Ministry of Education and Sports

Takim me studentët e IAL "Vitrina"

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në vazhdën e komunikimeve me studentët, priti sot studentët e Institucionit të Arsimit të Lartë “Vitrina” për t’i sqaruar mbi çdo shqetësim që kanë.

Lidhur me mungesën e listës së notave në dosjet personale të këtyre studentëve, ministrja Nikolla ka ritheksuar se studentët do të pajisen me to pranë universiteteve pritës. Këto do fundit do të bëjnë transkriptimin e notave të studentëve në bazë te regjistrave themeltar që disponon MAS dhe që do t’ua vërë në dispozicion universiteteve.

Studentët shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me ekuivalentimin e krediteve, proces i cili mund të përcaktojë që ata t’u rikthehen viteve të mëparshme të studimet, në universitetin pritës, privat apo publik.

Drejtuesit e lartë në MAS u kanë sqaruar se Udhëzimi Nr.33, datë 19.09.2014, për transferimet është në përputhje me Ligjin për Arsimit e Lartë, Neni 35, pika2, në bazë të të cili, kur studenti transferon studimet kreditet duhet të përkthehen sipas programit të atij universiteti ku ai dëshiron të transferohet.

Komisionet e vlerësimit dhe ekuivalentimit të ngritur pranë IAL–ve publike do të kryejnë vlerësimin dhe ekuivalentimin e dosjeve të kandidatëve që rezultojnë të rregullta duke u shprehur për çdo student aplikant, për vlerësimin dhe njohjen e lëndëve e detyrimeve të shlyera, krediteve të grumbulluara si dhe të periudhave të studimit të njohura.

Asnjë IAL tjetër përveç “Vitrinës”nuk ka probleme me dosjet personale të studentëve. Nisur nga fluksi i madh i studentëve, gjatë gjithë këtyre ditëve, drejtuesit më të lartë të institucionit kanë pritur dhe kanë sqaruar studentët për paqartësitë që kanë.