Ministry of Education and Sports

Takim me studentët e IAL-ve që iu është hequr licenca

14-09-12-10-24-05big_foto[1]

Drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, gjatë këtyre dy ditëve, kanë sqaruar çdo paqartësi apo shqetësim që kanë studentët të cilëve nuk u janë dorëzuar dosjet me dokumentacionin e duhur për transferimin e studimeve nga Institucionet e Arsimit të Lartë që iu është hequr licenca, sipas detyrimit të përcaktuar në  VKM. Nr. 539, datë 06.08.2014 “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë” dhe Udhëzimit të MAS Nr.25 datë 11.08.2014 “Për procedurat që do të ndiqen për organizimin e procesit të transferimit të studentëve nga Institucione e Arsimit të Lartë të cilëve iu është hequr licenca”.

Sipas këtij detyrimi, IAL-të  private që iu është hequr licenca, duhej t’u dorëzonin të gjithë studentëve që bënin kërkesë dosjet me dokumentacionin përkatës sipas parashikimit në këto akte e sipërpërmendura, brenda datës 01 shtator 2014, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e studentit.

Dosjet e studentëve të cilët nuk kishin bërë kërkesë në IAL-të përkatëse, IAL-ja duhet t’i dorëzonte në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) brenda datës 10 shtator 2014. Së bashku me të gjithë bazën dokumentare që IAL-të disponojnë dhe mbi të cilën kanë zhvilluar aktivitetin e tyre që nga momenti i hapjes.

Disa IAL private, në kundërshtim të hapur me sa parashikohet në aktet e sipërpërmendura, nuk i kanë dorëzuar dosjet studentëve dhe në një pjesë të mirë të rasteve u kanë kërkuar dhe u kanë marrë pagesë për dhënien e tyre.

MAS po shqyrton dhe evidenton të gjitha rastet dhe ankesat e ardhura lidhur me sa më sipër dhe po përgatit denoncimet përkatëse për vënien para ligjit të personave përgjegjës.

Lidhur me dosjet e studentëve të dorëzuara në MAS, grupet e punës po punojnë për inventarizimin dhe sistemimin e tyre. Në përfundim të këtij procesi do të bëhet dorëzimi i tyre individëve përkatës, sipas procedurave që do të përcaktohen në Udhëzimin e MAS, i cili  do të publikohet së shpejti në faqen zyrtare, www.arsimi.gov.al

Ministria e Arsimit dhe Sportit i kërkon të gjithë studentëve që nuk kanë marrë dosjet e tyre pranë këtyre IAL-ve të presin miratimin e Udhëzimit që MAS po përgatit, në lidhje me procedurat e tërheqjes së dosjeve pranë MAS dhe transferimi e studimeve.

Udhëzimi që po përgatitet përmban gjithashtu dhe të gjitha modalitetet dhe procedurat për transferimin e studentëve që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e tyre në IAL publike apo private si dhe afatet e reja që do të përcaktohen për fillimin e aplikimeve pranë këtyre institucioneve.

Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë çdo studenti në mënyrë që ata të transferohen pa probleme në një institucion tjetër të arsimit të lartë.