Ministry of Education and Sports

Takim me perfaqësues të IAL-ve private

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla zhvilloi sot, një takim me drejtues të institucioneve të arsimit të lartë (IAL) privat, të cilët do të mund të vazhdojnë normalisht, këtë vit, veprimtarinë akademike.

Në vazhdim të komunikimit me institucionet e arsimit të lartë, që do jenë pritësit e studentëve që kanë ndjekur studimet në IAL-të private që iu hoq licenca, ministrja Nikolla deklaroi edhe një herë dhënien e shansit të dytë për këtë grup studentësh, gjithmonë pa cënuar cilësinë e IAL-ve  private apo publike ku ata dëshirojnë të vazhdojnë studimet.

“Lejomëni të përsëris qëndrimin dhe vendosmërinë tonë, jo vetëm për të mundësuar një shans të dytë për studentët, por edhe pa cënuar cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë që do t’i pres. Për të mundësuar vijueshmërinë e cilësisë në institucionet tuaja ju duhet të rishikoni me vëmendje çdo dosje të studentëve”, u shpreh Lindita Nikolla.

Ministrja u kërkoi përfaqësuesve të IAL-ve private të krijojnë lehtësi në procedura për studentët, duke ngritur komisionet përkatëse që do të verifikojnë cilësinë e dosjeve të tyre.

Në vazhdim të komunikimit me drejtues të IAL-ve private, ministrja Nikolla theksoi dhe një herë marrjen e të gjitha masave të duhura për fillimin e vitit akademik duke treguar një vëmendjen të posaçme për procesin që është ndërmarr në kudër të ligjshmërisë së arsimit të lartë, privat apo publik.

“Ne do të vijojmë me inspektime dhe monitorime për të parë realizimin e të gjitha detyrave që ju janë lënë në bazë të ‘Raportit për kriteret e ligjshmërisë’, ashtu sikurse do të komunikojmë në vazhdim për ecurinë që lidhet me procesin e akreditimit nga agjencia britanike”, iu drejtuar ministrja Nikolla përfaqësuesve të IAL-ve private.

Krahas pyetjeve në lidhje me transferimin e studentëve, ministrja Nikolla iu përgjigj edhe çdo shqetësimi që shprehën përfaqësuesit e IAL-ve private si dhe iu garantoi se institucioni që ajo drejton do të jetë në shërbim të studentëve për çdo çështje që ata kanë.

Përfaqësuesit e IAL-ve private shprehën gatishmërinë e tyre për të pranuar studentët, sipas kritereve që institucioni ka dhe pa cënuar cilësinë.

Disa ditë më parë, ministrja Nikolla zhvilloi takim edhe me Rektorët e IAL-ve publike, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për të pranuar, sipas standardeve, studentët e IAL-ve private që iu hoq licenca.