Ministry of Education and Sports

Studentët konkurs për njohuritë mbi të drejtën e autorit

Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit ka organizuar një konkurs me studentët e Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend, për të testuar njohuritë e tyre mbi të drejtën e autorit me tematikë “Pirateria dëmton – Të respektojmë të Drejtat e Autorit në Republikën e Shqipërisë”.

Sot, në Universitetin e Arteve u zhvillua faza finale e konkursit, ku i pranishëm ishte Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku.

Ky konkurs është zhvilluar në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, 26 Prillit, me qëllim për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar studentët me koncepte dhe çështje të të drejtës së autorit.

Edukimi dhe informimi i gjeneratës së re sjell uljen e nivelit të piraterisë dhe shkeljeve ne një vend të caktuar. Kjo eksperiencë është provuar në shumë vende të zhvilluara.

Sipas Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit, eksperienca e mëparshme me sistemin e arsimit para-universitar dha rezultate të kënaqshme dhe pozitive.

Ka një vullnet të shprehur qartë të Qeverisë Shqiptare se respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të do të garantohet në të njëjtin nivel që garantohet në të gjitha vendet e zhvilluara të botës.

Gjatë fazës finale të konkursit u ndanë çmime simbolike dhe certifikata për studentët.

Aktiviteti zhvillohet nga Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, si dhe stafet akademike të çdo universiteti në Tiranë dhe në rrethe.