Ministry of Education and Sports

Strategjia e Arsimit Parauniversitar

Ministria e Arsimit dhe Sportit, prezantoi sot draft Strategjinë e Arsimit Parauniversitar 2014-2020 që orienton politikat afatmesme dhe afatgjata sektoriale për përsosjen e arsimit paraunivesitar, sipas vizionit të qeverisë.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, gjatë prezantimit të strategjisë, tha se ajo tashmë është në momentin më kulmor të saj sepse është në fazën e diskutimit me grupet e interesit, në mënyrë që të realizohet një strategji për një arsim gjithëpërfshirës i mbështetur në strategjinë e BE-së për sistemin arsimor.

“Kjo strategji ka si objekt të saj kryesore nxënësin dhe formimin e plotë të tij duke e aftësuar atë për tregun e punës, në mënyrë që mos të kemi më analfabetizëm funksional, por fëmijë të aftë duke nxitur elementët e veçantë të tyre”, u shpreh Malaj.

Strategjia e Arsimit Parauniversitar merr parasysh parimet dhe praktikat më të mira, trajton gjendjen e SAPU-së dhe propozon ndërhyrjet për secilën prej përparësive të vlerësuara si më të rëndësishme. Në këtë kontekst, Strategjia mbështet dhe unifikimin e sistemeve arsimore të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Strategjia e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar 2014-2020 është një nga përbërësit e Planit Strategjik të Arsimit 2014-2020. Dokumenti është propozim për transformimin, për reformimin dhe për zhvillimin e arsimit, sipas një modeli të frytshëm planifikimi, menaxhimi dhe vlerësimi.

Puna për hartimin e Strategjisë ka filluar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në prillin e vitit 2014. Gjatë periudhës prill-gusht 2014, u përgatit “Raporti Paraprak për Reformën e SAPU-së”. Nga diskutimi i gjetjeve dhe i propozimeve të Raportit u përftua korniza e konceptimit të Strategjisë, objektivat dhe pritshmëritë sipas përparësive të përcaktuara.

Në periudhën shtator-dhjetor, u thellua kërkimi për të njohur dhe evidencuar gjendjen në sistem, në aspektet e veprimtarisë së tij. Në vitin 2014, u organizuan tre ëorkshope, në të cilët ekspertë vendas dhe të huaj, mësues, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe shoqëria civile kanë kontribuar si në identifikimin e pikave të forta, problemeve,  vështirësive, ashtu dhe në zhvillimin e kornizës konceptuese.

Në ditët në vijim, MAS do të vazhdojë diskutimet për Strategjinë e Arsimit Parauniversitar me aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të universiteteve me programe mësuesie, donatorë, etj.  Procesi i konsultimeve me grupet e interesit mbështetet nga UNICEF.

 

STRATEGJIA