Ministry of Education and Sports

Statusi, vullnet i qartë për mbështetje në rrugën e reformave

Fjala e plotë e Ministres Lindita Nikolla

Të dashur maturantë, prindër, 

Lajmi i mirë që erdhi dje prej Europës, dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë,  është vullnet i qartë për të na mbështetur në rrugën e reformave, në rrugën e ndërtimit të modeleve të reja si ai që u arrit falë mirëadministrimit të Maturës Shtetërore 2014.

Ai lajm i mirë është gjithashtu mbështetje për vullnetin e rinisë që kërkon hapësirë për talentin dhe ndërshmërinë, vlerësim sipas meritës, hapësirë me meritokraci.

Punë në skuadër, ndjenjë e lartë përgjegjësie, bëri të mundur që procesi i Maturës Shtetërore të ofronte një standard të unifikuar mirëadministrimi, siguri dhe cilësi kudo në të gjithë vendin.

Ne i qëndruam deri në fund masave të marra sepse për ne provimet e maturës shtetërore janë mundësi për të vënë në provë forcën e dijeve marrë në bankat e shkollës, në një botë që kërkon gjithnjë e më shumë dije të sakta, informacion të qartë, siguri në vetvehte dhe besim në shoqëri. Kaq, as më shumë e as më tepër. 

Të dashur maturantë bashkarisht me ju ne po ndërtojmë një model të ri për shoqërinë shqiptare. Modelin e arritjeve me ndershmëri dhe vullnetit të qartë për meritokraci. 

Këto janë modelet që do të mundësojnë reformimin dhe ndryshimin e thellë të shoqërisë shqiptare, si një nevojë e domosdoshmëri në rrugëtimin tonë drejt familjes europiane. Kjo është çka themi kur themi ne jemi europianë.

Ju nuk keni nevojë për nota që falen apo blihen, për diploma e tituj që nuk përkojnë me vlerësime objektive të njohurive dhe aftësive tuaja. Ju nuk keni nevojë t’iu mësojnë si bëhet me hile, si dilet nga rradha duke nëpërkëmbur meritokracinë dhe tjetrin, mikun apo shokun tuaj, tjetrin pa të cilin bashkëjetesa është thjesht e pamundur.

Ju keni nevojë të braktisni modele që pikëmbërritje kanë degradimin e shoqërisë dhe rrënimin e së ardhmes. Ne po përgatitemi të përballemi dhe konkurrojmë në një botë ku vetëm forca e dijeve të konsoliduara mundëson arritje.

Masat që ne ndërmorrëm në drejtim të mirëadministrimit të Maturës Shtetërore kishin për qëllim zgjimin tuaj nga gënjeshtra e madhe, e një modeli të dështuar, një model që ne së bashku do ta hedhim poshtë.

Prandaj, ju ftoj të shihni përtej tymnajës. Ju ftoj të shihni drejt së nesërmes, aty ku modeli që ne po krijojmë ka hedhur tashmë rrënjë e nuk ka më kthim prapa.

Gjithashtu, dua të falënderoj të gjithë trupën e administratorëve, Drejtorinë Rajonale të Arsimit, stafin e MAS të përfshirë në procesin e administrimit.

Një falenderim i veçantë dhe për Forcat e Rendit, personelin e Postës Shqiptare, një risi që realizoi standard dhe cilësi sigurie të lartë, CEZ-in dhe Ministrinë e Shëndetësisë. 

Të gjithë ju së bashku punuat si një ekip i vetëm dhe ky sukses, e them me bindje të plotë, është një sukses i përbashkët.