Ministry of Education and Sports

Sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla së bashku me Kryeministrin e vendit, z. Edi Rama, ishin të pranishëm në përurimin e “klasës inteligjente” në shkollën e mesme “Andon Z. Çajupi”, Tiranë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Nikolla, duke ndarë me të pranishmit punën e këtyre muajve të fundit të MAS, theksoi se një nga prioritetet e Qeverisë dhe të kësaj Ministrie është pikërisht një shkollë ku teknologjia dhe dija bashkohen për të formëzuar personalitetin dhe aftësitë intelektuale të nxënësve në të dymbëdhjetë vitet e shkollimit të tyre në arsimin parauniversitar.

“Do të doja të ndaja me ju të vërtetat e këtyre ditëve dhe muajve të punës time si ministre e Arsimit dhe Sportit, duke ju thënë që e tërë Qeveria ka vendosur në një fokus të rëndësishëm që dixhitalizimi i sistemit arsimor të jetë pjesë e gjithë formëzimit tuaj në 12 vitet e shkollimit në arsimin parauniversitar.

Falë projekteve dhe organizimit të këtij partneriteti me këta bashkëpunëtor të rëndësishëm që sot janë në këtë auditor, por dhe shumë e më shumë të tjera projekte që Qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit po punon, ne po shënojmë një realitet krejt të ri që përkon me këto dy koncepte që internetin dhe dijen ti bëjë bashkë për të ardhur në një cilësi të re në jetën e shkollave. Sot dhe në ditët në vijim ne do të kemi një standart të ri që do të thotë, falë teknologjisë dhe koncepteve të projekteve inovative,  ne do të mundësojmë që iShkolla, iKlasa, iLënda të jetë një realitet në gjithë formimin tuaj duke mësuar që avantazhet e teknologjisë, mjetet e saj të jenë në përdorimin tuaj jo vetëm për të kënaqur atë që ju e keni, lundrimin në internet, por për t’i kthyer si një mjet të rëndësishëm të edukimit tuaj cilësor, jo vetëm në lëndën e informatikës, por në të gjitha lëndët.” – u shpreh ministrja Nikolla.

Një moment tjetër që ministrja Nikolla ndau me të pranishmit ishte dhe reforma që ka ndërmarrë Ministria e Arsimit dhe Sportit në drejtim të kurrikulës së arsimit parauniversitar.

“Do të doja të ndaja me ju gjithashtu dhe një moment tjetër që ne po punojmë, që besoj se do të jetë një arsye më shumë për suksesin ndaj këtij projekti. Kjo ka të bëjë me reformimin që ne po i bëjmë kurrikulës së arsimit parauniversitar, jo vetëm duke e unifikuar atë me Kosovën, por edhe me trendin cilësor të vendeve të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Ky moment ka të bëjë pikërisht me atë që thamë që në fillim, që aftësitë e teknologjisë mos të jenë thjesht disa ese apo projekte por të jenë një mënyrë jetese, komunikimi e mësimdhënie për të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar.” – u shpreh znj. Nikolla.

Klasa inteligjente (Smart Classroom), është realiteti më i ri për nxënësit e shkollave të arsimit parauniversitar në vend.  Ky koncept përfshin krijimin e një klase të pajisur plotësisht me materiale dhe pajisje digjitale të cilat mundësojnë një performancë të lartë në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Klasa inteligjente është një koncept që e bën shkollën më tërheqëse për nxënësit, duke nxitur punën në grup nëpërmjet ndërveprimit në kohë reale midis mësuesit dhe nxënësit.

Gjimnazi “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet, u bë përfituesi i parë i këtij projekti inovativ, modern e bashkëkohor, i cili do të jetë nga sot e tutje pjesë e formimit për këta nxënës, duke mundësuar një cilësi krejt të re dhe të ndryshme në komunikimin mësues-nxënës-prindër.

{:}