Ministry of Education and Sports

Sistemi EMIS, transparencë më e lartë në informacionin arsimor

Ministria e Arsimit dhe Sportit nënshkroi sot marrëveshjen e mirëkuptimit me kompaninë austriake “Bit Media” për krijimin e sistemit EMIS (Education Management Information System) me qëllim administrimin e informacionit arsimor, në të gjitha shkollat shqiptare , i cili do të jetë i menaxhuar në nivel qendror nga MAS.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja Lindita Nikolla dhe  Drejtori i Përgjithshëm i “Bit Media”, Walter Khom në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla tha se përdorimi i këtij sistemi do të çojë në reduktimin e kostove të proceseve administrative, nëpërmjet menaxhimit më të shpejtë të proceseve në sistemin shkollor.

“Qëllimi përfundimtar i sistemit EMIS, si një instrument që mundëson gjithëpërfshirjen në mënyrë interaktive, ofron mundësi kontrolli dhe transparence, nëpërmjet ofrimit të një portofoli të gjerë të shërbimeve publike ndaj qytetarëve në arsim, duke filluar nga dosjet personale të mësuesve dhe stafit arsimor përgjithësisht, amzës, notave, etj“, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se EMIS nënkupton transparencë më të lartë dhe parandalim të korrupsionit, nëpërmjet përdorimit të Sistemit Menaxhues të Informacionit Arsimor duke përfshirë edhe menaxhimin e notave dhe diplomave.

I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishte edhe Ambasadori  i Austrisë, Thomas Schnoll i cili përshëndeti marrëveshjen dhe tha se ky projekt rrit transparencën mes studentëve dhe organeve publike të arsimit.

Objektivi  përgjithshëm i projektit është modernizimin i sistemit arsimor shqiptar të bazuar në praktikat më të mira evropiane. Qëllimi kryesor është të rrisë cilësinë e mësimdhënies dhe aftësitë pedagogjike nëpërmjet sistemit e-education dhe një portali mësimor që do të përfshijë autoritetet arsimore, mësuesit dhe nxënësit.

Gjithashtu, projekti do të mundësojë një sistem e-Learning për mësusesit që të përmirësojnë më tej aftësitë e tyre në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Për të realizuar këtë objektiv do të trajnohen rreth 3000 persona, drejtorë shkollash / administratorë etj.