Ministry of Education and Sports

Simpoziumi shkencor ndëruniversitar “Perspektiva e marrëdhënieve mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Aristoteli i Selanikut”

Fjala e plotë e Ministres

Të jesh në një mjedis të tillë, posaçërisht për mua është ndjesi tejet e veçantë, sepse është mjedis ku realisht motivohesh për të mësuar dhe për të qenë bashkë me ju, në mënyrë  që arsimi i lartë në Shqipëri, ky mjedis kaq me vlera intelektuale, të jetë edhe mjedisi i rëndësishëm ku brumosen dhe  faktohen politika të rëndësishme të zhvillimit të vendit, posaçërisht ato për zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

I përgëzoj miqtë për gjithçka që kanë mundësuar në takimin e parë të delegacionit shqiptar në Selanik, për të vijuar më pas jo vetëm me disa takime, simpoziume dhe konferenca, por për t’i formësuar ato në trajtën më të mirë të një bashkëpunimi të planifikuar, të ndërsjellë të stafeve akademike të UT, por edhe të universiteteve të tjera, ashtu sikurse edhe me eksperienca të vyera shkëmbimesh të studentëve shqiptare dhe anasjelltas.

Lejomëni të ndaj me ju, të dashur miq vendosmërinë e institucionit që unë drejtoj, Qeverisë Shqiptare për të ndërtuar dhe për të mbështetur me të gjitha forcat krijimin e hapësirës evropiane të arsimit të lartë, krijimin e asaj hapësire të domosdoshme shkëmbimesh të ndërsjella që në universitete tona kryefjala të jetë cilësia, për të mundësuar për studentët shqiptarë, për pedagogët, për kërkuesit mjediset e nevojshme që kërkon pasioni i tyre, puna e tyre, cilësia e kërkimit shkencor, të krahasueshme me ato të parametrave të bashkësive evropiane, ku ne duam të integrohemi. 

Në këtë kontekst, lejomëni që në këtë ditë kur mendjet dhe zemrat tona janë me emocion në pritje të një vendimi, të përgëzoj shtetin grek që në detyrën e Presidencës së radhës ka mundësuar dhe ka qenë një ndërmjetës i rëndësishëm që Shqipëria të ecë përpara në proceset integruese. 

Sigurisht që edhe ky simpozium i sotëm tregon përsëri për mundësitë e mëdha që ne kemi për të ecur përpara në fushën e bashkëpunimit, në fushën e projekteve të përbashkëta rajonale integruese, por edhe njëherësh për të ndërtuar bashkërisht dhe për të mundësuar që rrugëtimi i Shqipërisë në BE të jetë një rrugëtim që universitetet shqiptare, Profesoratin dhe Akademinë e kthen në pararoje të përzgjedhjes, në pararojë të gjithë vendimmarrjes për zhvillimin ekonomik, social në të gjitha fushat e vendit.

Ndaj, në këtë këndvështrim, me këtë dëshirë, padyshim të angazhuar që kjo të jetë një e afërme e shpejtë që duhet të ndodh, ne e kemi të nevojshme të dashur profesorë, kontributin tuaj për të përmirësuar politik bërjen dhe reformat e ndërmarra, që padyshim kanë nevojë për mbështetjen tuaj , por që do të vijojnë edhe me reforma të tjera të shumanshme që kërkon realisht zhvillimi i vendit që kërkojnë realisht këto procese integruese të Shqipërisë.

Në emrin tim, në emrin e qeverisë ju përgëzoj për çfarë keni arritur deri tani, por njëherësh ju garantoj mbështetjen optimale për të ecur në këtë rrugë bashkëpunimi, ndërveprimi rajonal dhe më gjerë, ku arsimi i lartë, Profesorati ka një rëndësi të dorës së parë.

Faleminderit