Ministry of Education and Sports

Nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministres Kushi, Shtëpia Botuese me famë botërore “G. Henle Publishers”, në Mynih, ka dhënë mbështetje për Universitetin e Arteve, duke i dhuruar bibliotekës së tyre të gjithë katalogun e tyre të partiturave origjinale Urtext. Ky dhurim përbëhet nga mbi 1 400 partitura të më shumë se 50 kompozitorëve dhe përbën të gjithë katalogun Henle Urtext.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me Ministren e Kulturës Elva Margariti pritën të Tiranë për ceremoninë e dorëzimit përfaqësues nga Fondacioni Günter Henle.

“Unë e vlerësoj shumë këtë kontribut të Fondacionit Günter Henle, pasi ka një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e artit dhe të artistëve të rinj në vendin tonë” – tha ministrja Kushi.

Znj. Kushi e konsideron këtë bashkëpunim një nismë shumë domethënëse dhe akademike dhe pedagogjike të vlefshme për studentët dhe profesorët e këtij universiteti.

Ndërkohë, Kryetar i Bordit të Fondacionit Günter Henle, z. Felix Henle, tha se mbështetja për punë të rëndësishme të Universitetit të Arteve në Tiranë është diçka që u buron nga zemra e fondacionit Günter Henle.

“Jemi falënderues që G. Henle Publishers është në gjendje të mbështesë këtë Universitet me rastin e 60 vjetorit të tij. Pa dyshim, trajnimi i shkëlqyer dhe atmosfera e mrekullueshme në këtë Universitet do të kishin tërhequr shumë edhe gjyshin tim, Günter Henle, themeluesin e shtëpisë botuese Urtext dhe fondacionit. Falënderojmë ambasadorin tonë, Prof. Rudens Turku, i cili ka vendosur kontaktin me Ministrinë dhe Universitetin”- shprehet z. Felix Henle.

Edhe Dekani i Fakultetit të Muzikës, Prof. Dr. Isak Shehu e ka falënderuar z. Henle, për këtë donacion, i cili shkon direkt në edukimin e brezit të ri të artistëve, nga ana tjetër rrit ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies.

 

Henle Publishers është themeluar mbi 70 vjet më parë dhe ka fituar një reputacion si një nga udhëheqësit botërorë të botimeve të shquara të muzikës klasike, veçanërisht për botimet e tyre “Urtext”.