Ministry of Education and Sports

Shqipëri-Kosovë, tre marrëveshje për arsimin e dy vendeve

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami nënshkruan sot, tre marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor;

Marrëveshje për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë; (Në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës)

Marrëveshje për bashkërendim institucional për përparimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve në arsimin parauniversitar.

Në mbledhjen e dytë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrja Nikolla tha se bashkëpunimi në reformimin e sistemit të arsimit të lartë, është një ndër sfidat e përbashkëta të dy vendeve, me qëllim sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë sipas standardeve evropiane.

Si Shqipëria dhe Kosova janë në proces të draftimit të ligjit për arsimin e lartë ndaj ekipet e përbashkëta për projektligjin do të kenë mundësi të ndajnë vizionet e tyre dhe qasjet e reja, që kanë si perspektivë cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Bashkëpunimi do të vijojë edhe për programet e përbashkëta si Erasmus +, e në javët në vijim do të prezantohen disa projekt-propozimeve ku do të jenë të përfshira universitete shqiptare dhe kosovare së bashku me universitete britanike, gjermane, franceze e austriake.

Gjithashtu Ministrja Nikolla tha se po merr jetë, në planin e realizimeve konkrete, “Marrëveshja e bashkëpunimit për Unifikimin e Kurrikulës së Sistemit Arsimor Parauniversitar të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, nënshkruar në Tiranë në qershor 2014-të.

Ndaj në vijim të bashkëpunimin në arsimin parauniversitar, për të pasur politika në të njëjtën vijë me parimet e përbashkëta evropiane, do të përcaktohen objektivat kryesorë në sistemin e  trajnimit dhe kualifikimit të vazhdueshëm të mësuesve.

Të dy vendet do të bashkëpunojnë për zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave, për zbatimin e kurrikulës me bazë kompetencat duke hartuar dokumente të përbashkëta për trajnimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore.

Arsimi mbetet një nga sfidat prioritare të qeverisë shqiptare. Reformat në arsimin parauniversitar janë projektuar në mënyrë që të sigurojnë një arsim cilësor për të gjithë dhe të përmirësojnë statusin e mësuesit.

Sipas Ministres Nikolla, arsimi, përveçse një domosdoshmëri për integrimin e hapësirës shqiptare në rajon, është dhe rruga e integrimit të përbashkët drejt hapësirës evropiane.

Mbledhja e dytë e përbashkët e dy qeverive u zhvillua në Pallatin e Kongreseve nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”.