Ministry of Education and Sports

Shqipëri-Kosovë, takim i grupeve të punës për implementimin e marrëveshjes për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë”, grupet e punës së dy vendeve zhvilluan sot, një takim në Prishtinë për implementimin e marrëveshjes.

Në takimin, ku të pranishëm ishin Ministri i Diasporës së Kosovës, Valon Murati dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Astrit Bajrami, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi se unifikimi i sistemit arsimorë mes dy vendeve është tashmë një realitet i cili e bën edhe më të thjeshtë punën për ta përçuar më tej këtë marrëveshje, në diasporë e mërgatë.

“Në Shqipëri e kemi filluar punën me reformën e teksteve shkollore, duke mundësuar një dokument  të përbashkët të vlerësimit të teksteve shkollore. Krahas dallimeve, Shqipëria dhe Kosova kanë një dokument të përbashkët me të cilin operohet për gjithë procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore që i referohet një kornize kurrikulare të unifikuar me Kosovën”, tha ministrja Nikolla.

Sipas saj, edhe pse sot është takimi i parë i grupeve të punës, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së përbashkët mes dy qeverive, Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka ecur në këtë drejtim, duke iu qasur secilës prej dymbëdhjetë neneve  të marrëveshjes.

Në fjalën e saj, ministrja Nikolla deklaroi se puna për marrëveshjen mes dy vendeve do të përqendrohet në lobimin për futjen e gjuhës shqipe në shkollat e vendeve ku jetojnë fëmijët shqiptarë, përsosmërinë e unifikimit të kornizës kurrikulare dhe përcjelljen përmes teksteve shkollore edhe tek fëmijët e diasporës dhe mërgatës si dhe në hartimin e programeve të kualifikimit të standardizuar të mësuesve të gjuhës shqipe, që do të mundësojnë mësimdhënies në përputhje me standardet e vendeve ku jetojnë shqiptarët.

Ministrja Nikolla theksoi se duhet të jemi përkrah mësuesve shqiptarë në diasporë, duke i ndihmuar që të performojnë më mirë, të jenë  në lartësinë e detyrës, në lartësinë   e kërkesave që ka edhe kjo marrëveshje e përbashkët e tri ministrive. 

“Nëse deri dje qeveria shqiptare bënte detyrën për edukimin përmes gjuhës shqipe në diasporë dhe qeveria kosovare bënte gjithashtu detyrën, tashmë jemi bashkë dhe kjo energji e re do sjellë një produkt të ri dhe një nivel të ri të mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë. Ne do fillojmë të lobojmë fort që këto modele suksesi mes dy vendeve tona t’i shtrijmë edhe në vende të tjera, që fëmijët shqiptarë, kudo ku janë, të përfitojnë në mënyrë maksimale shkollimin në gjuhën shqipe”, tha Nikolla.

Grupet e punës nga të tre ministritë, do t’i vazhdojnë punimet sot edhe nesër ku përmes ekspertizës së tyre do të mundësojnë implementimin e marrëveshjes për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. 

Marrëveshja e bashkëpunimit “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë”, u nënshkrua në mars të këtij viti, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë.