Ministry of Education and Sports

Shqipëri – Kosovë së bashku për gjuhën dhe kulturën shqipe në diasporë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka pritur në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për një vizitë pune Ministrin e Diasporës të Republikës së Kosovës, Valon Murati dhe stafin që e shoqëronte.

Gjatë takimit mes dy Ministrave dhe delegacioneve respektive, u diskutua për rëndësinë dhe vazhdimësinë e zbatimit të marrëveshjes për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë.

Nga ana e saj, Ministrja Nikolla, siguroi mbështetje dhe bashkëpunim  pa rezervë me Ministrinë  e Diasporës duke konstatuar se diaspora shqiptare është një e vetme dhe si e tillë do të trajtohet.

Ministrja Nikolla, i propozoi ministrit Murati, mundësinë e zhvillimit të disa vizitave të përbashkëta të tre ministrave përkatës në vende ku ka prezencë të madhe të komunitetit shqiptar. Sipas Znj. Nikolla, qëllimi i këtyre takimeve do të bënte të mundur njohjen me interesat dhe nevojat reale të mësuesve, prindërve, fëmijëve dhe komunitetit shqiptar në raport me edukimin cilësor të gjuhës, kulturës dhe historisë shqipe. Në këto takime do të konsultohen edhe dokumentet e dala nga zbatimi i marrëveshjes për diasporën.

Nga ana e tij, Ministri Murati, duke mirëpritur propozimin e ministres Nikolla, u shpreh i gatshëm  që këto vizita të mundësoheshin brenda muajit maj. Gjithashtu, Ministri propozoi rritjen në një shkallë tjetër të fushatës së ndërgjegjësimit, në mënyrë që numri i nxënësve shqiptarë që mësojnë gjuhën dhe kulturën amëtare në diasporë të rritet.