Ministry of Education and Sports

Shqipëri-Kosovë: Nënshkruhet marrëveshja e unifikimit të sistemit arsimor parauniversitar

Sot, në prani të Kryeministrit Edi Rama, u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, “Marrëveshja e Bashkëpunimit për Unifikimin e Kurrikulës  së  Sistemit Arsimor Parauniversitar të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”.
 
Ministrja Nikolla e cilësoi ditën e sotme si një ditë të shënjuar e historike për shkollën shqiptare dhe atë të Kosovës, ditë në të cilën u hodhën bazat për nisjen pa vonesë të punës për unifikimin e kornizës kurrikulare me atë përtej kufirit.
 
Ministrja Nikolla falënderoi të gjithë të pranishmit për punën e kryer, duke sjellë në kujtesë përpjekjet e vazhdueshme dhe diskutimet e frytshme, krahas mëdyshjeve jo të pakta, mbi suksesin dhe jetësimin e kësaj nisme madhore për unifikimin e kurrikulës së sistemit parauniversitar ndërmjet dy vendeve tona.
 
Më tej, vijoi ajo, ky proces do të lehtësojë dhe mundësojë njëkohësisht qarkullimin e nxënësve në të dy drejtimet, një nxënës/e i Shqipërisë nuk do të ketë më asnjë pengesë për të vijuar shkollimin e tij/të saj në Kosovë dhe anasjelltas. Gjithashtu, këta nxënës nuk do të kenë vështirësi për të ndjekur shkollat evropiane, pasi korniza kurrikulare që po unifikohet, është ajo zyrtare e BE-së. Në këtë mënyrë, ky proces unifikues është gjithashtu një vlerë e shtuar në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt integrimit evropian.
 
Kjo marrëveshje hedh bazat për një kualifikim dhe ekspertizë të përbashkët të mësuesve dhe ekspertëve tanë, të cilët nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta do të kenë mundësinë të shkëmbejnë midis tyre përvojat konkrete më të mira.
 
Në fund, Ministrja Nikolla theksoi rëndësinë e veçantë të kësaj marrëveshjeje, e parë kjo në këndvështrimin e një dokumenti reformues, nëpërmjet të cilit kurrikula e re do të mundësojë kompetencat dhe rezultatet e të nxënit që përdoren në ditët e sotme në vendet evropiane.