Ministry of Education and Sports

Shkollat si Qendra Komunitare

Për përmirësimin e cilësisë së punës dhe të jetës në shkollat e vendit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndërmarrë nismën “Shkolla si Qendër Komunitare – Një shkollë miqësore për të gjithë”.  Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, paraqiti këtë nismë nxitëse dhe zhvilluese, që synon shndërrimin e shkollës në hapësirën ku do të ndërtohet një partneritet i ri mësues-familje-komunitet.

Në takimin me donatorët vendas dhe ndërkombëtarë, ministrja Nikolla u shprehu të pranishmëve mirënjohjen e saj të thellë jo vetëm për praninë e tyre,  por dhe për gjithçka që në këto vite kanë mundësuar për arsimin, cilësinë e tij dhe miredukimin e të rinjve shqiptarë.

“Sot jemi mbledhur së bashku për të ndarë një vizion, i cili synon t’u japë përmasa të reja rolit dhe cilësisë së shkollës për t’i përmirësuar ato, jo vetëm në aspektin e mësimdhënies dhe të nxënies, por dhe më tej, për të mësuar që ne nëpërmjet shkollës të adresojmë në komunitet nisma edhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së gjithë komunitetit përreth shkollës”, u shpreh znj. Nikolla. “Ky është koncepti për të cilin ne kemi ardhur të diskutojmë këtu sot me ju, pasi ju jeni realisht partnerët tanë të rëndësishëm për çdo reformë  që mundëson rritjen e cilësisë së jetës së shkollës. Ky vizion ka për qëllim ta shndërrojë shkollën në përçuese të dijes e të edukatës qytetare dhe  për ta sjellë atë në nivele të reja si projektuese e demokratizimit dhe e vlerave europiane në mbarë vendin”, nënvizoi ministrja Nikolla.

Duke mos e konsideruar arsimin si një çështje me të cilën duhet të merret vetëm shteti dhe dora e fshehtë e tregut të punës, ministrja Nikolla e cilësoi arsimimin e gjeneratës së re si një të mirë publike që i përket komunitetit po aq sa dhe shtetit. Është pikërisht kjo arsyeja pse sfida e rritjes dhe e garantimit të cilësisë nuk mund të shihet e ndarë nga çështja e garantimit të shanseve të barabarta për të gjithë, arsye që kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve në procesin e arsimit të dhe edukimit.

Ne jemi sot këtu për të paraqitur nismën dhe për të kërkuar nga ju, si aktorë kryesorë të partneritetit, ndihmesën që, padyshim, do të jetë e vyer,  në mënyrë që ta vendosim shkollën  në një partneritet të ri, deklaroi znj. Nikolla. “Mësuesi, familja dhe komuniteti, në transparencë të plotë e në dialog të shëndoshë, do të përfshihen në këtë sfidë të madhe. Deri në momentin që flasim, ne kemi mundur të ravijëzojmë një nismë të re që lidhet me gjithë procesin drejtues të nivelit të mesëm të arsimit, që ka të bëjë me drejtimin e arsimit në drejtoritë rajonale. Sigurisht që nuk ka përsosmëri, por mendojmë se, në konceptin tonë, kemi nisur dhe po instalojmë një situatë të re, që ka në bazë transparencën, konkurrencën dhe vlerat”, u shpreh ministrja Nikolla.

Nisma “Shkolla si Qendër Komunitare” është shkolla e hapur ndaj komunitetit, shkolla që vihet në shërbim të plotë të komunitetit, pa cenuar procesin e mësimdhënies, duke e plotësuar atë përtej orarit zyrtar. ShQK-ja nuk është shkolla që mbyll dyert e saj me rënien e ziles që shënon përfundimin e një dite mësimi, po është shkolla që, nga ai moment e tutje, angazhohet në mënyrë aktive në konsolidimin e njohurive dhe në formimin e personalitetit të nxënësit.

“Transformimi i shkollës në qendër komunitare, racionalizimi i shkollave dhe krijimi i programeve plotësuese falas do të shërbejnë për të mbyllur përfundimisht kapitullin e cenimit të ligjit të arsimit parauniversitar dhe të vetë etikës së mësuesit. Shkolla është vendi më paqësor, nga ku edukohen të gjitha parimet dhe vlerat e Europës demokratike, ku ne kërkojmë të integrohemi. Ndaj ka një sërë momentesh të rëndësishme që kërkojnë reflektimin dhe zhvillimin e këtyre ideve jo vetëm në Tiranë dhe në qytetet e mëdha të Shqipërisë, por në çdo shkollë ku edukohen fëmijët shqiptarë”, vijoi ministrja Nikolla.

Gjithashtu, znj. Nikolla vlerësoi ndihmesën dhe transferimin e ekspertizës dhe njohurive të të pranishëmve, me qëllim ndërtimin e kapaciteteve, dhe premtoi se ajo do të punojë fort, duke bashkëpunuar me komunitetet dhe pushtetin vendor, për të mundësuar në mënyrë të studiuar racionalizimin e shkollave, në mënyrë që edhe shkollat me numër të kufizuar nxënësish të kenë mundësinë e arsimimit cilësor.

“Është shumë e rëndësishme që ne ta kemi shkollën vatër të zhvillimit rajonal dhe një pikë të rëndësishme të projektimit të të gjithë zhvillimit komunitar dhe formimit të qytetarëve të rinj, pse jo, dhe të udhëheqësve të rinj të Shqipërisë së nesërme”, përfundoi fjalën e saj znj. Nikolla.

Më pas, zëvendësministri i MAS, z. Arbjan Mazniku, vazhdoi me paraqitjen e strategjisë dhe hapjen e diskutimeve për nismën “Shkolla si Qendër Komunitare”.

Tryeza u mbyll me një diskutim ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe donatorëve të huaj dhe vendas, të pranishëm në këtë takim, për mundësinë e bashkëpunimit sa më të mirë, me qëllim bërjen sa më shpejt të këtij projekti një realitet të prekshëm për të gjithë, një realitet që do të rigjallërojë veprimtarinë shkollore, duke i dhënë përmasa të reja e duke projektuar rolin e sportit, artit e kulturës në mjedise brenda dhe përreth shkollës.