Ministry of Education and Sports

Shkolla si Qendër Komunitare: Minitenisi në Shkolla

Aktiviteti i Minitenisit në shkollën 9-vjeçare “Dora D'Istria” është zhvillimi i mëtejshëm i nismës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit "Shkolla si qendër komunitare".

Fëmijët pjesëmarrës, ata të ciklit fillor të kësaj shkolle u argëtuan shumë gjatë lojërave sportive të zhvilluara, ndërkohë që edhe prindërit mbetën të kënaqur për këtë nismë që synon shndërrimin e shkollës në hapësirën ku do të ndërtohet një partneritet i ri mësues-nxënës-prindër-komunitet. Nisma sportive e Minitenisit u organizua nga Federata Shqiptare e Tenisit dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, me mbështetjen e shtëpisë botuese “Albas”, EDS Foundation, Tenis Tirana dhe Shkollës "Dora D'istria".

Aktiviteti u bazua në demonstrimin e minitenisit në oborrin e shkollës me pjesëmarrjen e fëmijëve të ciklit fillor më pas u zhvillua turneu i tenisit "EDS Foundation" te fushat e tenisit të “Tenis Tirana” dhe në fund u shpërndanë diplomat dhe trofetë për pjesëmarrësit. Ky është një hap i parë i bashkëpunimit të Federatës Shqiptare të Tenisit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për masivizimin e sportit të tenisit si dhe i shpalosjes së nismës "Shkolla si qendër komunitare". Ministenisi në shkolla është një ndër aktivitetet që synon ofrimin e shërbimeve më cilësore ndaj komunitetit  ku shkolla nuk do të konsiderohet vetëm një institucion shtetëror edukues dhe arsimues, por do të jetë e hapur në funksion të rivitalizimit të aktiviteteve sociale dhe jetës sportive për të gjithë komunitetin.

Hapja e dyerve të shkollës përmes aktiviteteve sportive por edhe kulturore, përtej orarit të mësimit synon zhvillimin e vazhdueshëm të brezit të ri. Aktivitete të tilla e pozicionojnë shkollën në shërbim të plotë të komunitetit, duke e plotësuar qëllim që ajo ka. Shkolla si Qendër Komunitare është shkolla që angazhohet në mënyrë aktive në konsolidimin e njohurive dhe në formimin e personalitetit të nxënësit përmes kulturës dhe sportit nën slognin: "Fëmijë të lumtur, Prindërim i suksesshëm, Shoqëri e realizuar"