Ministry of Education and Sports

Shërbime universitare sipas standardeve evropiane

Ditën e hënë dhe të martë, në datat 14-15 Dhjetor 2015, në ambientet e Hotel Tirana International u zhvillua Konferenca dy ditore me temë: "Reforma e Arsimit të Lartë në Shqipëri: Realizimi i Shërbimeve Universitare – Eksperienca dhe Modeli Italian".

Kjo konferencë u zhvillua nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Italiane në fushën e arsimit dhe shkencës.
 
Dita e parë e konferencës i drejtohej stafit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe agjencive respektive, duke parashtruar shërbimet që ofron sistemi për këto struktura shtetërore.

Dita e dytë, ku morën pjesë të gjitha institucioneve të arsimit të lartë (IAL) publike dhe private, ishte e fokusuar në shërbimet që, përmes kësaj platforme, i ofrohen universiteteve, studentëve, pedagogëve, me qëllim përcjelljen e eksperiencës dhe modelit italian të ofrimit të shërbimeve universitare. Në këtë kuadër, modeli italian i shërbimit do të ndiqet dhe implementohet edhe në universitetet shqiptare duke ofruar transparencë dhe cilësi shërbimesh për aktorët e arsimit të lartë, publikun e më gjerë. Kjo do të mundësojë që studentët shqiptarë, stafet akademike dhe administrata e IAL-ve shqiptare të marrin dhe ofrojnë shërbime të modernizuara, efikase dhe sipas standardeve më të mira, ashtu si dhe të gjithë kolegët e tyre në vendet anëtare të Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë.

Gjithashtu, ky sistem mundëson vlerësimin e indikatorëve dhe standardeve duke garantuar vlerësimin dhe financimin e këtyre prametrave, që do të shërbejnë për financimin dhe akreditimin e IAL-ve, në mënyrë efikase dhe transparente për të gjitha IAL-të dhe publikun.

Ky projekt ka gjetur shtrirje në disa prej universitete publike duke përfshirë shërbime për mijëra studentë, pedagogë dhe punonjës të administratës universitare në vend. Fokusi i MAS është që këto shërbime universitare përmes kësaj platforme të shtrihet në të gjitha IAL-të në muajt në vijim.

Kjo iniciativë do të sigurojë një rrjet të unifikuar të dhënash për të gjithë studentët, stafet akademike dhe publikun, sikurse do të forcojë dhe bashkëpunimin mes MAS, agjencive të varësisë dhe IAL-ve.

Ishin të pranishëm në këtë konferencë drejtori i Kooperacionit Italian për Zhvillim, z. Andrea Senatori, si dhe drejtues dhe ekspertë të CINECA-s Itali, të cilët shpalosën modelin e programit të shërbimeve universitare përballë përfaqësuesve të të gjitha IAL-ve publike dhe private në vend.

Morën pjesë dhe përshëndetën këtë konferencë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, si dhe Ambasadori Italian në vendin tonë, z. Alberto Cutillo, të cilët vlerësuan maksimalisht bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve tona në fushën e arsimit të lartë dhe shkencës, duke theksuar rolin e këtyre projekteve jo vetëm si përforcues të marrëdhënieve dypalëshe por edhe si kontributorë të rëndësishëm në orientimin e cilësisë së arsimit shqiptar drejt standardeve evropiane.

"Gjej rastin të falenderoj Qeverinë e një vendi mik si Italia për mbështetjen që i jep vendit tonë, e në veçanti botës akademike-kërkimore përmes këtij projekti ambicioz për standardizimin e Shërbimeve Universitare të Teknologjisë së informacionit dhe krijimin e rrjetit akademik kombëtar i cili do të na bëjë pjesë të rrjetit paneuropian të kërkimit dhe edukimit GEANT.

Duke shfrytëzuar eksperienca të tilla evropiane, si ajo që përfaqësojnë partnerët italinë të Qendrës (Konsorciumi Ndëruniversitar CINECA) përmes digjitalizimit të plotë të Universiteteve, ne po kërkojmë të standardizojmë shërbimet e TIK përkundrejt studentëve, stafit akademik dhe kërkuesve tanë.

Platforma UGOV me të gjithë komponentët e saj përbërëse po ofron lehtësira në jetën studentore por dhe në punën e përditshme të stafeve akademike dhe administrative në çdo qelizë të universitetit. 

Unifikimi dhe centralizimi i shërbimeve do të ulë kostot e ofrimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve soft dhe hardware, si dhe do të mundësojë pjesëmarrjen e universiteteve në rrjetin e qendrës universitare si një riinvestim për vetvehten në anën tjetër.

Etapa e saponisur e projektit, ajo e ndërtimit të rrjetit telematik, do të plotesojë pjesën tjetër të shërbimeve të teknologjisë së informacionit përkundrejt universiteteve publike shqiptare. Rrjeti i cilësisë së lartë që do të ndërtohet, siguria e tij, do të mundësojnë në të ardhmen një shërbim cilësor me shpejtësi transmetimi të lartë dhe të sigurt, si në shërbimet aktuale softëare, dhe ato të rrjetit. Investimi tjetër që qeveria shqiptare ka bërë në Datacenterin e Qendrës do ta bëjë edhe më të sigurtë shërbimin e ofruar.

Qendra Universitare është një element natyral i jetës universitare dhe do të shërbejë në të ardhmen jo vetem si një nyje lidhëse ndërmjet universiteteve por edhe për komunikimin elektronik të të dhënave nga universitetet drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe zinxhirit të agjencive të saj, që po krijohen në kuadër të Ligjit të ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në IAL.

Nga ana tjetër, Qendra Universitare mund të shërbejë edhe si urë lidhëse ndërmjet arsimit parauniversitar dhe atij universitar, hapi i parë i së cilës u bë edhe në muajin tetor përmes testitimit online të nevojave për kualifikim të mësuesëve të ciklit parauniversitar.

Shërbimet e përbashkëta softëare dhe databaza e krijuar do të mundësojnë mirëmenaxhimin e finacimeve publike, do të lehtësojnë proceset periodike të vlerësimit të brendshëm të universiteteve, mobilitetin e studentëve përmes librezës digjitale të studentit ku ata mund të lëvizin lirshëm pa burokraci shkresore, mbështetur në parimet e Deklaratës së Groningenit për portabilitet të të dhënave të studentëve. Gjithashtu, do të pengojnë dublimet e projekteve të njëjta dhe do të forcojnë të drejtat intelektuale të kërkuesve inovatorë nëpër universitete. Sa u tha më sipër, e bën këtë projekt pjesë të programit tonë për transparencën dhe partneritetin në “Open Government”.

Qendra, duke rritur kapacitetet tekniko – profesionale, do të ketë mundësi që, përmes përthithjes së financimeve të reja, të huaja dhe vendase, të zgjerojë më tej gamën e shërbimeve të saj. Shërbime këto mëse të nevojshme për të gjithë universitet, qendrat e kërkimit dhe agjencitë e Ministrisë së Arsimit në vend, për të bërë një hap cilësor në trekendëshin Cilësi-Transparencë-Inovacion në Arsim dhe Kërkim Shkencor." – u shpreh ministrja Nikolla.