Ministry of Education and Sports

Shahu në shkolla, investim për progresin e dijes

Fjala e ministres Nikolla për mediat:

I nderuar z. Kasparov, e nderuar znj. Ministre Harito, të nderur mësues, prindër, nxënës pasionantë të lojës së shahut, jam tejet e nderuar që sot në praninë tuaj kam kënaqësinë të mirëpres një kampion të madh dhe një mik të madh të shkollës në fakt, siç është z. Geri Kasparov. Dhe posaçërisht si mik i madh i shkollës ai ka ardhur në Shqipëri për të mundësuar edhe në shkollën shqiptare gjithë përfitimet  që ne mund të marrim nga kjo lojë të cilën  shumë njerëz e kanë quajtur sportin e mendjes, siç është loja e shahut. Unë do doja t’ju falënderoja për ndihmën e vyer që po ofroni që përmes qëndrimeve dhe shprehive që kjo lojë ofron të mundësojmë për këta fëmijë, falë teknologjisë edhe një mënyrë të re të zhvillimit të kompetencave. Sepse është shumë e rëndësishme të themi që përmes adresimit të kurrikulave të tilla, të reja, këta fëmijë do të kenë mundësi fare natyrshëm në moshë shumë të vogël të formësojnë shprehi dhe koncepte të tilla që lidhen më mendimin kritik, me konkurrencën dhe gjithë shprehitë pozitive të konkurrencës, me mënyrën efiçente të zgjidhjes së problemeve, si dhe shumë shprehi të tjera që loja e shahut edhe përmes zbavitjes dhe kreativitetit u ofron për të qenë pjesë e formësimit të tyre. Sigurisht, është kënaqësi e veçantë që këta fëmijë patën mundësinë të njihen nga afër me ju z. Kasperov dhe të pyesin për gjithë suksesin tuaj që ka filluar në një moshë shumë të hershme dhe ju ka bërë kampionin më të ri në botë. Besoj se të gjithë ne në Shqipëri, do të kemi mundësi që të kemi në dorë edhe librin tuaj, sesi jeta imiton dorën e shahut. Ky libër i përkthyer në mbi 20 gjuhë të botës, do të ketë fatin të përkthehet edhe në gjuhën shqipe në mënyrë që ne të shohim më nga afër përfitimet që ka pjesëmarrja në një sport të tillë të mendjes. Do të bëjmë maksimumin që këto lojëra të jenë pjesë e formimit të fëmijëve. Do të fillojmë në 10 shkolla të para për të vijuar më pas në gjithë shkollat e Shqipërisë që funksionojnë si shkolla qendra komunitare. Ne, sot, këtu kemi edhe përfaqësues nga bordi i prindërve, të cilët jo vetëm e kanë mirëpritur këtë nismë, por do të jenë bashkë me ne për të mundësuar që kjo të bëhet pjesë e jetës  shkollore në të gjitha shkollat shqiptare. Faleminderit edhe njëherë. Kënaqësi që jeni midis nesh.

Fjala e ministres Harito për mediat:

I nderuar z. Kasparov, thjesht disa fjalë  do t’i shtoja  asaj që tha me aq të drejtë Ministrja e Arsimit. Ne kemi një program shumë të gjerë modernizimi të së gjithë kurrikulave arsimore edhe nëpërmjet teknologjisë. Falë gjithë këtij programi modernizimi, i cili synon të sjellë inovacion dhe progres në shkollat tona, do të futen kurrikula shumë më të sofistikuara për IT-në, Informatikën qysh në moshë shumë të hershme në gjithë ciklin parauniversitar. Kjo është pjesë e programit të madh të pajisjes me tableta dhe kurrikula e-learning në të gjithë shkollat, kryesisht në ato të mesme, por edhe me kurrikula të veçanta në shkollat 9-vjeçare. Ne patëm rastin, sot të bëjmë tentativën e parë të këtij programi, i cili është bërë i mundur falë Fondacionit Kasparov, me disa fëmijë ku ata tentuan të luajnë on-line. Këtë program do të kenë mundësi ta bëjnë si fillim shkollat pilot dhe më pas shkollat e tjera. Ajo që doja të theksoja është që ata të cilët do të jenë më të mirët prej jush dhe më të zotët, do të kenë mundësinë të luajnë me fëmijë të moshës suaj në të gjithë botën nëpërmjet kësaj platforme dhe kështu do të keni mundësinë të provoni vetën tuaj me bashkëmoshatarët tuaj nga e gjithë bota. Ju faleminderit.

Fjala e z. Geri Kasparov për mediat: 

Mirëmëngjesi dhe faleminderit që më pritët këtu. Ndihem shumë rehat, sepse jam në një shkollë dhe shoh që këtu është prezantuar shahu. Ka qenë një nga ëndrrat e mia që të shikoja shahun si pjesë e programit shkollor. Unë e kam promovuar atë aktivisht në botë. Duke filluar në New York e më pas hapa një tjetër në Bruksel për Evropën, në Johanesburg për Afrikën, në Singapor për Azinë dhe në Mexico City do të hapet shumë shpejt. Po udhëtoj nëpër botë për të bërë të munduar që vendet të binden për të hapur këtë lojë dhe gëzohem shumë që shoh kaq entuziazëm në Shqipëri. Ky është udhëtimi im i parë në Shqipëri, por do të ketë edhe të tjerë për të promovuar këtë koncept. Ne filluam bashkëpunimin tonë dhe siç u tha nga dy zonjat ministre, shkollat pilot do të fillojnë në shtator dhe unë do të isha shumë i gëzuar të vija këtu të prisja shiritin. Ju falënderoj shumë.

Fjala e z. Erald Dervishi (Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar i Shahut) për mediat: 

Mirëmëngjesi të gjithëve. Fillimisht do të doja të falënderoja dhe të përcillja mirënjohjen për zotin Kasparov për vizitën e tij në Tiranë. Është një nder për Komitetin  Olimpik të Shahut shqiptar t’ju ketë këtu. Ardhja juaj këtu ishte dhe një nga qëllimet për të cilin federata është përpjekur gjatë këtyre viteve, atë të implementimit të shahut në shkollë. Mënyra teknologjike me anë të kompjuterit është edhe më e rëndësishme. Dua të falënderojë gjithashtu qeverinë shqiptare dhe zonjat ministre për mbështetjen e këtij projekti.