Ministry of Education and Sports

Shahu në shkolla

Ministria e Arsimit dhe Sportit nënshkroi sot, marrëveshjen e bashkëpunimit mes saj dhe Federatës Shqiptare të Shahut e Federatës Evropiane të Shahut, me qëllim implementimin e projektit “Mësimi i Shahut  në Shkollë”.

Projekti i mësimit të shahut në shkollë do të përmbajë  mundësimin e  marrjes së leksioneve  dhe njohurive mësimore për shahun nga nxënësit e shkollave, nëpërmjet  aktiviteteve ekstrakurrikulare në laboratorët e teknologjisë së informacionit, zhvillimin e orëve mësimore në formën e  praktikave  zbavitëse si dhe zhvillimin e garave  sportive të organizuara.

Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, marrëveshja u firmos nga Zëvendësministri, Rauf Dimraj i cili vlerësoi rëndësinë e përfshirjes së shahut në shkolla dhe efektet që ai do të ketë tek nxënësit. 

“Implementimi i shahut në shkolla hap një perspektivë të re që do të përmirësojë aftësitë e të mësuarit të nxënësve, në të gjitha aspektet e jetës”, tha Z.Dimraj duke e njohur, ndër të tjera, Z. Azmaparaishvili me rëndësinë që MAS i ka kushtuar sportit në shkolla.

Për Federatën Evropiane të Shahut marrëveshja u nënshkrua nga Presidenti i saj,  njëkohësisht Zëvendësministër i Sporteve të Gjeorgjisë, Zurab Azmaparaishvili i cili e përshëndeti iniciativën e MAS, për përfshirjen e shahut në shkolla.

“Ky projekt është goxha i vjetër dhe mbështetet në rekomandimet e Komisionit Evropian për përdorimin e shahut në shkolla. Tashmë mbi 10 vende të Bashkimit Evropian kanë implementuar këtë projekt. Ndaj, mua me vjen mirë që edhe ju e kuptoni se sa i rëndësishëm është shahu për zhvillimin e fëmijëve”, tha Z. Zurab Azmaparaishvili.

Implementimi i marrëveshjes, si fillim në dhjetë shkolla në vend, do të realizohet edhe në kuadër të  projektit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për kthimin e shkollave në Qendra Komunitare. 

Sporti i Shahut prej disa vitesh ka gjetur terren shumë të përshtatshëm për t’u zhvilluar në Shqipëri, duke tërhequr një numër të konsideruar ushtruesish të moshave të ndryshme në të gjithë vendin. 

Mësimi i shahut në institucionet arsimore parauniversitare të vendit tonë do të mundësojë evidentimin, trajnimin e talenteve dhe njëkohësisht mundësimin e ushtrimit të sportit të shahut nga fëmijët e të rinjtë në shkolla. 

Ky projekt konsiston jo vetëm në dhënien e mësimeve për nxënësit, por gjithashtu në mundësimin e federimit të tyre pranë Federatës Evropiane të Shahut dhe pajisjen e shkollave ku do të implementohet projekti, me bazën materiale të nevojshme.