Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini përmes një video-mesazhi ka adresuar çështjet e testit të maturës dhe tabletave në shkolla.

“Siç ju kemi njoftuar, në testin e maturës nuk do të ketë pyetje, të cilat janë mbuluar gjatë kohës që kemi mësuar në kushte shtëpie. Pra, në testin e maturës do të kemi pyetje nga klasa e 10-të, 11-të, si dhe nga klasa e 12-të për temat që janë zhvilluar sa kemi qenë ende duke mësuar në shkollë. Kjo për arsye se e kuptojmë që zhvillimi i koncepteve të reja në kushte shtëpie është i vështirë. Jo të gjithë nxënësit kanë mësuar mbi temat e reja në tempo dhe me të njëjtën cilësi. Ndaj që të jemi të drejtë, kemi vendosur që t’i heqim këto nga testi i maturës”, ka përsëritur Ministrja Shahini.

Në fund, Ministrja Shahini sqaron edhe pyetjen e një nxënësi se “pse nuk po i përdorim tabletat që i kemi në disa shkolla, për t’u ardhur në ndihmë nxënësve që nuk kanë qasje në telefon smart, tabletë apo laptop që edhe ata të mund të zhvillojnë mësimin në kushte shtëpie”. Në lidhje me këtë, Shahini sqaron:

“Janë rreth 60 shkolla që para shumë vitesh kanë filluar një projekt me disa tableta që kanë themeluar klasa digjitale. Pra, janë rreth 120 klasa digjitale dhe në ato shkolla nxënësit bëjnë lëndët e ndryshme duke përdorur edhe tabletin. Pra, është një formë tjetër e punës në kushte shkolle. Është e vështirë të nxirren ato tableta nga shkolla dhe t’u dërgohen nxënësve që nuk kanë një pajisje, sepse e para, ata janë pronë e shkollës dhe administrativisht është pak e vështirë, por këtë edhe do ta kishim tejkaluar disi. Praktikisht, është gati e pamundur sepse ato kanë një sistem që karikohen në një stacion brenda klasës, pra nuk kanë karikues mobil që ta çojnë në shtëpi. Dhe perderisa nxënësi nuk mund ta kthejë çdo ditë në shkollë për karikim, ai thjesht bëhet i papërdorshëm. Për fat të keq, kjo nuk është një mënyrë që mund t’u vijmë në ndihmë nxënësve që nuk kanë pajisje digjitale në shtëpi, por po bëjmë të pamundurën që në diskutim me kompani të ndryshme që janë ofruar edhe vullnetarisht të na vijnë në ndihmë, të gjejmë mënyrën më të mirë për të siguruar qasje në mësim digjital për të gjithë nxënësit”.

 

https://www.facebook.com/1980444878879282/posts/2549504908639940/