Ministry of Education and Sports

Seminari kombëtar: "Sigurimi i Cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë"

Sot, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, ishte e pranishme në seminarin kombëtar të organizuar në ambientet e Universitetit të Vlorës "Ismail Qemali", me temë "Sigurimi i Cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë" të Shqipërisë. 

Ky seminar u organizua nga Grupi HERE, zyra e Erasmus Plus në bashkëpunim me MAS dhe Universitetin e Vlorës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësuesi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Clive Rumbold, koordinatorja e programit Rasmus Plus në Shqipëri, znj. Edit Dibra, si dhe Rektori i Universitetit të Vlorës, z. Albert Qarri.

Në këtë seminar ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, duke falënderuar organizatorët e aktivitetit dhe të pranishmit, u shpreh se reforma në arsimin e lartë dhe kërkimit shkencor lidhet me hapa konkrete në drejtim të përmirësimit të cilësor në organizimin e arsimit të lartë dhe funksionimin e IAL-ve. Ministrja Nikolla theksoi se fokusi dhe përpjekjet e kësaj reforme duhet të intesifikohen më tepër në cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Nga ana tjetër znj. Nikolla sqaroi se agjencia e huaj ndërkombëtare e akreditimit, anëtare e ENQAs, do të mundësojë procesin e akreditimit të të gjithë IAL-ve publike dhe jopublike deri në fund të këtij viti.

Më tej ministrja Nikolla u shpreh se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndërmarrë hapat për asociimin e Shqipërisë në Programet e BE-së me Erasmus Plus për mbështetjen e arsimit të lartë dhe në Horizon 2020 për kërkimin shkencor. Shqipëria duke u anëtarësuar në këto programe krijon mundësitë dhe nismat që favorizojnë ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, për nxitjen e shkëmbimeve për studentët, kërkuesit e rinj dhe stafet tona akademike. Në këto programe është përcaktuar qartazi se do të do të ofrohet mbështetje maksimale për bashkëpunimin mes kërkuesve shkencorë vendas dhe atyre të huaj sidomos nëpërmjet projekteve cilësorë. 

Më pas seminari vazhdoi me prezantime dhe raporte nga pedagogë dhe përfaqësues të programeve të Bashkimit Evropian rreth mundësive të përmirësimit dhe sigurimit të cilësisë në IAL-et shqiptare.