Ministry of Education and Sports

Seminar kombëtar për qeverisjen e brendshme të universiteteve

Zyra “Erasmus+”, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me ekspertët HERE dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit organizoi sot, seminarin kombëtar me temë “Organizimi i brendshëm i universiteteve dhe rritja e kapaciteteve për qeverisjen”.

Ky seminar, i zhvilluar në Universitetin e Elbasanit, mblodhi së bashku  anëtarë të stafeve akademike nga  IAL-të e Tiranës, Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit etj.

Seminari trajtoi sfidat e situatës aktuale të qeverisjes duke filluar nga niveli i institucionit deri në njësinë bazë të departamentit si dhe ndryshimet që sjell reforma dhe Ligji i ri i Arsimit të Larte.

Gjithashtu  u prezantuan modelet më të suksesshme të qeverisjes në universitetet e vendeve më të zhvilluara evropiane, si dhe u trajtuan aspektet kryesore të organizimit të brendshëm të departamentit.

Në përfundim do të përcillet zëri i personelit të IAL-ve , në një dokument final me rekomandime për hartimin e akteve të ardhshme nënligjore.
 

Në këtë seminar mori pjesë dhe eksperti ndërkombëtar, Stephen Hagen, Profesor Emeritus, Zv/rektor për Menaxhimin dhe Qeverisjen në Qendrën Kombëtare të Kërkimit në Shën Peterburg, Zv/kancelar i Universitetit të Uellsit, në Britaninë e Madhe, Drejtor i Kërkimit, Biznesit dhe Inovacionit në Universitetin e Anglisë Perëndimore të Bristolit, etj.