Ministry of Education and Sports

Sekretari i Përgjithshëm Plarent Ndreca, vizitë në institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Kinë

Në muajin janar, një delegacion nga Shqipëria me përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Arteve, si edhe Instituti Konfuci-UT zhvilluan një vizitë në institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Kinë. 

Takimi i parë u mbajt me përfaqësuesit e Qendrës së Institutit Konfuci në Kinë (HANBAN), ku delegacioni u prit nga drejtuesit e këtij institucioni. Gjatë këtij takimi Drejtoresha e përgjithshme e HANBAN, znj. Xu Lin falënderoi delegacionin shqiptar për kontributin që ka dhënë në përforcimin e marrëdhënieve midis HANBAN, Universitetit të Gjuhëve të Huaja Pekin dhe Universitetit të Tiranës në kuadër edhe të zhvillimit të Institutit Konfuci-UT. 

Znj. Xu Lin falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca që iu bashkua kësaj vizite, duke shprehur dëshirën që gjuha kineze të jetë pjesë e kurrikulave jo vetëm në universitet, por edhe në ciklin e ulët dhe në ciklin e mesëm të studimeve në Shqipëri.

Delegacioni i palës shqiptare zhvilloi një takim edhe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja Pekin (BFSU). Ky universitet, me rreth 70 degë të gjuhëve të huaja, është partner në themelimin dhe zhvillimin e Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës. 

Rektori i këtij universiteti shprehu dëshirën që të bëhet i mundur shkëmbimi i studentëve dhe i pedagogëve ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Gjuhëve të Huaja Pekin.

Z.Plarent Ndreca u shpreh dashamirës ndaj kësaj nisme, duke siguruar edhe gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për shkëmbimin midis dy universiteteve, të cilin ai e vlerësoi të rëndësishëm edhe për ministrinë.

Delegacioni i palës shqiptare zhvilloi gjithashtu edhe një serë takimesh si, në Universitetin e Pekinit ,“Nankai University”, “Fudan University” dhe “East China Normal University”, ku në këtë të fundit studiojnë edhe 5 studentë nga Shqipëria. 

Gjatë këtyre takime, Sekretari i Përgjithshëm i MAS, Z. Ndreca propozoi gjithashtu zhvillimin e një konference të përbashkët në Shqipëri, ndërmjet përfaqësuesve të universiteteve që delegacioni shqiptar vizitoi dhe atyre të universiteteve shqiptare.