Ministry of Education and Sports

Së bashku me mësuesit për të kapërcyer situatën

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka inspektuar sot nga afër mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkollat e zonave të përmbytura në qarkun e Fierit, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditët e fundit.

Ministrja ishte e pranishme në shkollën 9-vjeçare Darzezë e Re, në komunën Dërmenas dhe në shkollën 9-vjeçare Ferras të komunës Levan, ku godinat janë ruajtur nga përmbytja dhe mësuesit janë në krye të detyrës.  Probleme ka në kopshtin e Darzezës, ku si pasojë e reshjeve të dendura dhe mungesës së investimeve ndër vite godina ka pësuar dëmtime të lehta.

Më pas, ministrja Nikolla ka vizituar shkollën e mesme të bashkuar në Povelçë ku ka patur probleme në oborrin e shkollës.

“Qeveria do t’i përgjigjet me investime të menjëhershme rikonstruksionit të kopshtit të Darzezës. Ndërkohë, nga ana e stafeve pedagogjike janë marrë masat për pastrimin e godinave dhe shkollat janë funksionale për një proces normal mësimor”, tha Nikolla.

Gjatë takimit me stafet pedagogjike, Ministrja ndau një plan specifik veprimi për platformën mësimore, në mënyrë që nxënësit mos të kenë mangësi nga orët e humbura.  Të gjithë stafet pedagogjike janë në krye të detyrës, ndërkohë që pritet të rikthehen në shkolla nxënësit e familjeve të cilat janë evakuar nga forcat e rendit.

Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit janë marë të gjitha masat që procesi mësimor të vazhdojë normalisht. Gjithashtu shtabi i emergjencës në MAS është duke analizuar të gjithë situatën në vend për të nxjerrë konkluzionet rreth dëmeve që janë shkaktuar nga kjo fatkeqësi natyrore.