Ministry of Education and Sports

Reforma në Arsimin e Lartë, në një diskutim të hapur me Konferencën e Rektorëve   dhe ish anëtarët e KALSH-it

Sot në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, u zhvillua një takim mes ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, Komisionit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH) dhe anëtarëve të Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Shqipërisë (KRUSH) dhe ish- anëtarëve të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH).

Tematika e këtij takimi ishte diskutimi i Raportit të Parë për “Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”, prezantuar nga KALKSh, në fund të muajit të kaluar.

Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla, duke falënderuar Komisionin për punën e tij katër mujore dhe duke vlerësuar punën e tyre të prezantuar në këtë raport të parë, theksoi se: 

“Ky është një moment i rëndësishëm për arsimin e lartë. Po mundësohet ndërtimi i një procesi të shëndetshëm që do të mundësojë vendimmarrje gjithëpërfshirëse në politikat e arsimit të lartë. MAS do të mundësojë që zëri i të gjitha grupeve të interesit; akademikëve, pedagogëve, grupit të bizneseve e studentëve, të dëgjohet dhe të jetë pjesë e këtij debati gjithëpërfshirës. Kjo reformë synon hapjen e perspektivave të reja, pasi për ne është e shtrenjtë e ardhmja e universitetit, e të rinjve dhe profesionistëve tanë. Ndaj, ju ftojmë të gjithëve ju, të na përcillni vërejtjet, këshillat e sugjerimet tuaja, pasi kjo Reformë do të ketë emrin e secilit që do të dhurojë ndihmesën e tij profesionale, drejt një arsimimi cilësor”.

Ndërsa kryetari i Komisionit të KALKSh, z. Arjan Gjonça duke vlerësuar dhe duke u shprehur optimist për takimet dhe diskutimet e para të zhvilluar me grupet e interesit tha se: 

“Ndihem shumë entuziast për faktin se në takimet e para, që kemi pasur me grupet e ndryshme të interesit, rreth diskutimit të Reformës, kam vënë re se dëshira për të parë arsimin e lartë sa më mirë është e jashtëzakonshme. Falënderoj, gjithashtu, politikën që na ka lënë plotësisht të lirë në rrugën tonë drejt përpilimit të këtij drafti të parë. Ju ftoj, që të bëheni pjesë e këtij diskutimi, proces që ka nisur që në vjeshtën e vitit të kaluar. Theksoj se është e rëndësishme që në këtë proces të ecim bashkë.”

Takimi vazhdoi me diskutime mes Komisionit dhe anëtarëve të KRUSH e ish- KALSH rreth Raportit, ku u bënë pyetje, komente dhe sugjerime nga pjesëmarrësit. 

Gjithashtu, Këshilli i Rektorëve u ftua të organizojë procesin e debatit në gjithë universitet, ku përgjatë gjithë këtij muaji, Komisioni do të marrë pjesë në takimet me Institucionet e Arsimit të Lartë.