Ministry of Education and Sports

Reforma në Altertekst, për tekste gjithmonë e më cilësore

Ministria e Arsimit dhe Sportit zhvilloi të premten tryezën për Altertekstin, ku pjesë e diskutimit ishin disa çështje të ndjeshme të kësaj reforme të rëndësishme. Gjatë fjalës së saj, ministrja e Arsimi dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, shprehu rëndësinë që ka kjo reformë në rritjen e cilësisë së formimit të brezave të ardhshëm. Ministrja theksoi se për herë të parë në këtë proces reformues janë përfshirë të gjitha grupet e interesit, duke nisur nga mësuesit, prindërit, nxënësit, drejtues të arsimit nga të gjitha qarqet, pedagogë të universiteteve, specialistë arsimi, autorë tekstesh shkollore e botues të pranishëm në këtë tryezë të përbashkët të një rëndësie të jashtëzakonshme.

“Më lejoni t’ju bëj me dije se ne jemi të vendosur për një komunikim të vazhdueshëm, për tryeza debati jo vetëm me njerëzit që janë më të mirët e fushës, por dhe me grupet e interesit që janë të prekur nga gjithë vendimmarrja që vijon më tej në procesin e Altertekstit  dhe situatat e tjera që lidhen me reformimin e sistemit të arsimit parauniversitar. Synimi ynë i përbashkët është që të kemi tekste gjithnjë e më cilësore për nxënësit shqiptarë”, theksoi znj. Nikolla.

Më tej, ministrja e Arsimit dhe Sportit theksoi dhe ndau të njëjtin mendim me pjesëmarrësit se reforma e Altertekstit është një reformë që nisi si një nevojë për cilësinë e arsimit shqiptar, por që, për shkak të keqadministrimit apo keqmenaxhimi, ka sjellë një proces të deformuar në cilësinë e përzgjedhjes së  teksteve që marrin në dorë nxënësit shqiptarë sot. “Kemi dëgjuar dëshmi që vijnë nga mësues, nxënës e prindër, por dhe ato që vijnë nga autorë të ndryshëm qoftë për kalvarin që kalon ky proces deri në zgjidhjen e tekstit më të mirë, qoftë dhe dyshimet për shumë tekste që kanë kaluar në fazën përzgjedhëse dhe sot janë në shkollat shqiptare”, deklaroi znj. Nikolla duke nënvizuar premtimin për një proces transparent, cilësor dhe të ndershëm në të ardhmen.

Znj. Nikolla garantoi të pranishmit, por dhe mbarë opinionin publik, se nuk do të përsëriten gabimet e së kaluarës, ku procesi nuk mbështetej në kahun e cilësisë, po në preferencën e këshilltarëve apo përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit. “Unë ju bëj me dije për një situatë të re që lidhet me këtë përgjegjshmëri. Ka kaluar koha që drejtori i DAR-it, dhe unë vetë apo çdo përfaqësues tjetër, të jenë të përfshirë në konflikt interesi apo të ushtrojnë diktat mbi këtë proces. Kjo është tryeza e parë. Ne do të vijojmë me tryeza të tjera dhe do të ndjekim me shumë vëmendje gjithë propozimet që vijnë nga ju se si dhe sa do të jetë niveli i ndërhyrjes dhe çfarë duhet të bëjmë për të përmirësuar këtë situatë, të cilën nuk mund ta anashkalojmë, për shkak të shqetësimit të gjithë komuniteteve që unë përmenda më sipër”, tha znj. Nikolla.