Ministry of Education and Sports

Raporti për kriteret e ligjshmërisë në IAL

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi sot, Raportin e verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në Institucionet e Arsimit të Lartë.  Ky raport bën transparente të gjitha gjetjet në 59 IAL pa dallim, publike dhe private, si dhe masat konkrete që janë marrë në drejtim të tyre.

Gjatë aktivitetit, të zhvilluar në sallën “Iliria” në Qytetin Studenti, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, tha se për herë të parë në këto 20 vite është bërë një inspektim i plotë i 59 IAL-ve për kriteret e ligjshmërisë.

“Po bëjmë detyrën, sigurisht. Por, më duhet ta përsëris: po bëjmë një detyrë që ishte anashkaluar për 20 vite, sepse për 20 vite inspektimi nuk kishte asgjë të përbashkët me ligjin, transparencën dhe marrjen e përgjegjësive institucionale për të ecur përpara me verifikimin e cilësisë”, tha Nikolla.

I pranishëm në prezantimin e raportit ishte edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama i cili tha se braktisja e menjëhershme, drastike, e prerë, që u bëhet diplomave pa vlerë është hapi më i sigurt për t’u larguar nga mesjeta e errët në Arsimin e Lartë dhe për të hapur rrugën e Rilindjes së Universitetit në Shqipëri.

Më poshtë fjala e plotë e Ministres Lindita Nikolla

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot është një ditë e rëndësishme për standardin e transparencës publike për ligjshmërinë në institucionet e arsimit të lartë në vend. Sot po bëhet publike ajo për të cilën ne jemi angazhuar: Verifikimi i ligjshmërisë dhe bërja transparente e të gjitha gjetjeve në 59 IAL pa dallim, publike dhe private, ku studiojnë 176 171 studentë dhe janë të punësuar 11 062 pedagogë.

Po bëjmë detyrën, sigurisht. Por, më duhet ta përsëris: po bëjmë një detyrë që ishte anashkaluar për 20 vite, sepse për 20 vite inspektimi nuk kishte asgjë të përbashkët me ligjin, transparencën dhe marrjen e përgjegjësive institucionale për të ecur përpara me verifikimin e cilësisë.

U kam hedhur këto ditë një sy mbishkrimeve të arkivit në MAS. Është i mbushur plot me dosje si këto, që kanë nga një emër institucioni të inspektuar. Kanë edhe tituj, të tillë si akreditim apo rankim të IAl-ve. Kuptova se pse, kur filluam procesin, shumë mendonin se po përsërisnim sjelljen e vjetër. Ca shkresa e CD për t’u depozituar në MAS dhe kaq. Gjithmonë janë bërë inspektime aty-këtu, por asgjë nuk ka ndodhur, na thonin me të drejtë.

Në fakt, këto dosje mbartin një proces krejt të ri: Një inspektim të plotë të 59 IAL-ve për kriteret e ligjshmërisë, që bëhet për herë të parë në vend. E përsëris, nuk kemi ndërhyrë me verifikim të cilësisë.

Në këto dosje pasqyrohet puna e 59 grupeve me mesatarisht 5 specialistë, nga më të mirët, më të përkushtuarit nga MAS, IShA dhe APAAL. Janë 5000 orë pune për të studiuar informacionin e sjellë nga vetë IAL-të në shkresa e CD, janë 2000 orë të tjera pune për të inspektuar në vend IAL-të, janë 4000 faqe raporte dhe informime me institucionet për gjetjet.

Të gjitha këto janë sinteza e analizave të observacioneve dhe ballafaqimeve sy më sy, kur ka qenë e nevojshme, apo kur është kërkuar nga institucionet, si dhe raporti përfundimtar për çdo IAL.

Unë i falënderoj për punën në shërbim të vendit, duke punuar me e pa orar për një qëllim të vetëm, të mbaronim këtë proces tani që t'u bëhej transparente situata në IAL e vendit prindërve, nxënësve, studentëve dhe gjithë qytetarëve para fillimit të vitit të ri akademik. Fryma profesionale në skuadër ka qenë tipari kryesor.

Me kërkesën dhe ndjeshmërinë e posaçme të Kryeministrit Edi Rama, kam kërkuar në takime që raportimet nga grupet të përçojnë frymën e pozitivitetit; jo zellin për të renditur dukuri negative në raporte, por çmuarjen arsyeshëm të situatës për të dalluar qartë hendekun midis interpretimit të ligjit aktual me problemet që ka dhe shkeljes qartas të tij.

Në këtë kuadër, më lejoni të ndaj me publikun njërin prej momenteve të orëve të gjata të punës e debatit, atë të raportimit të çdo grupi përballë Komisionit të Verifikimit të Kritereve të Licencimit.

Grupi i inspektimit u vu përballë komisionit dhe drejtorisë juridike që bënin avokatin e çdo institucioni, duke kërkuar prova për evidentimin e çdo fakti të shkeljes së ligjit.

Sigurisht, ne nuk sajuam kritere të reja. Nuk janë as standardet që do të verifikojë Agjencia Britanike e Akreditimit që lidhen me cilësinë, por janë kriteret e ligjit dhe VKM-të që gjetëm për IAL-të, janë kriteret që duhet të mbajnë në këmbë Institucionet e AL-së si një parakusht për funksionimin e tyre.

Ky verifikim ishte gjithashtu edhe hapi i parë dhe i një kërkese nga Agjencia Britanike për të vijuar më pas me verifikimin e standardeve të cilësisë.

Agjencia Britanike vjen për të verifikuar standardin europian të vlerësimit të studentëve dhe jo për të gjetur institucionet që nuk kanë fare regjistër studentësh, apo që thonë se gjatë transportit nga një godinë në tjetrën nga kamioni ra i tërë dokumentacioni, apo se e dogjëm dokumentacionin me urdhër të këtij apo atij dekani.

Kjo është detyra jonë dhe turpi i atyre që e kanë bërë dhe lejuar një situatë të tillë, për të cilën do të përgjigjen sigurisht.

Agjencia Britanike vjen për të verifikuar cilësinë e programeve dhe kurrikulave dhe jo për të gjetur se si studentët transferohen nga privati te publiku jashtë çdo kriteri, se si pranohen studentët me dëftesa false të shkollës mesme, se si shiten diplomat, se si madje mund të marrësh diplomë edhe pa mbaruar as shkollën e mesme, se si sot në Shqipërinë kandidate për në BE në IAL-të private ka studentë që paguajnë tarifat e studimit në klering me lopë, dru, zhavorr, oriz etj. Po, kemi gjetur dokumente pagesash me klering.

Agjencia vjen për të verifikuar strukturat akademike të IAL-ve në përputhje me statusin që kanë dhe standardet europiane dhe jo për të gjetur studentë të masterit, madje të një programi të paakredituar, të konvertuar në pedagogë të shokëve të tyre në bachelor, siç ne gjetëm në një institucion privat.

Ajo vjen për të verifikuar cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, por jo për të gjetur tema doktorate në QSA: “Historia e funksionimit të noterit”, “Aktrimi në filmin kosovar” “Historia e Kosovës në marrëdhëniet me vendet arabe”, apo se si një mjek gjinekolog doktorohet në degën “Mami” e çudira të tjera si këto, që nuk di se mbaron qesharakja e ku fillon shkenca.

Sigurisht, kjo kompani as nuk mund të futet e jo më të vlerësojë kushtet fizike të ish-sallave të kinemasë të kthyera në auditor të një filiali të publikut, godina të frikshme filialesh, auditorë të ngritur mbi stalla të mbuluara me llamarinë nga privatë, apo pamje të tilla ku diplomohet e ardhmja e vendit.

Kemi gjetur institucione që licencohen për të zhvilluar mësimin në gjuhën shqipe dhe diplomojnë jo një e dy, por me qindra të huaj.

Po si mund të ndodhë kjo? Si mund të heshtim kur fakte të tilla na vihen përpara zyrtarisht edhe nga vende të BE-së? Kjo është Shqipëria europiane?

Shqiptarët votuan aleancën e Shqipërisë europiane. Ndaj dhe këto dosje janë vetëm një proces, por brenda një procesi të madh reformimi.

Këtë kemi bërë gjatë këtij verifikimi: Kriteret ligjore përballë IAL-ve publike dhe private. Jo për të bërë “gjasmen” e radhës, por për të zhvilluar përgjegjësi të reja ndaj vendit dhe gjeneratës së re.

Ky është një proces i ndjekur me vëmendje dhe mbështetje tejet të posaçme nga Kryeministri Rama.

Më lejoni të falënderoj ato institucione që, edhe pse në këtë tollovi vlerash, ia kanë dalë të orientohen kah ligji. Mirënjohje pedagogëve, drejtuesve të atyre institucioneve publike për standardet e pashkelura! Keni treguar se pasioni për dijen dhe profesionalizmi mbeten aty, edhe kur lodhja nuk shpërblehet.

Faleminderit edhe sipërmarrësve privatë që kanë pasur në qendër ngritjen e institucioneve të shëndetshme të arsimit të lartë!

Në fakt, nuk bën sens të falënderosh respektin ndaj ligjit në një shoqëri demokratike e vlerash qytetare. Por unë i falënderoj sepse u është dashur edhe më shumë punë në përballjen me tarafet e korrupsionit e të politikës.

Kemi në këto dosje jo vetëm transparencën e plotë përballë publikut se çfarë po ndodh me ligjin në IAL, por edhe provat për këdo që ka shkelur ligjin, që ka abuzuar dhe ka përçudnuar formimin e fëmijëve tanë.

Për çfarë? Për të respektuar ligjin. Jo me të zgjedhur e të përzgjedhur, sepse misioni ynë është e vërteta.

Është për të njëjtin standard e njëjta masë! Para organeve të drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar dhe kanë futur sektorin në një qorrsokak të tillë. Sepse nuk mund të lejojmë që 70,5% e IAL-ve kanë probleme me kriteret ligjore dhe 18 institucione nuk plotësojnë as kriteret më minimale të ligjit.

Ky është vetëm fillimi. Deri në dhjetor do të realizohet procesi akreditimit për IAl-të që përmbushin këtë fazë.

Sqarojmë opinionin publik për sigurinë juridike. Pra, asnjë vendim sot e në vijim nuk cenon diplomat e marra në sistem, sigurisht nuk do të pranohen diploma që rezultojnë të blera.

Ndërkohë, asnjë student të mos ndihet keq nga kjo ndërhyrje. Edhe pse ligji parashikon se është institucioni privat që garanton, ne do ta tejkalojmë ligjin.

E kemi të qartë planin e punës për përballimin e situatës. Grupi i administrimit të kësaj situate do të verifikojë emër për emër dosjen e çdo studenti që paraqitet për ndihmë, duke ndjekur sistemimin e tij në bazë të vërtetësisë së dokumenteve dhe krediteve të marra. Procedurat dhe afatet do të prezantohen në faqen e MAS-it.

U drejtohem sot familjeve shqiptare, opinionistëve dhe kolegëve të politikës për gjithçka kam parë në këtë proces të parë.

Ishim futur qorrazi në një situatë ku të gjithë humbasin:

Familjet humbasin se paguajnë për të çuar në shkolla ku fëmijët nuk mësojnë realisht.

Studentët humbasin se harxhojnë vite të vyera të jetës dhe paratë e familjes pa fituar dije dhe aftësi që mund t’i kenë vlerë në jetë.

Shoqëria humbet se kapitali njerëzor pakësohet, në vend që të shtohet.

Dhe vetë pronarët e këtyre IAL-eve humbitnin se, megjithëse fitonin para, do të merrnin mallkimin e mijëra familjeve dhe gjithë shoqërisë për rrënimin e kapitalit njerëzor të vendit.

Sot është dita që të gjithë të bashkohemi si një shoqëri, si një trupë qytetarie, për të parë të vërtetën në sy dhe për t’u futur në rrugën e vështirë, por të drejtë, të punës, të dijes, të progresit.

Faleminderit!