Ministry of Education and Sports

Punësimi i mësuesve sipas meritës, transparencës, konkurrencës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla prezantoi sot në Shkodër procesin e sistemimit të mësuesve fitues në provimin kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, sipas vendeve vakante.

Ministrja Nikolla e cilësoi këtë sistem si zgjidhjen e duhur në një situatë emergjence ku ishin evidentuar rreth 4000 mësues pa arsim përkatës dhe jashtë profilit.

“Përtej polemikës boshe të këtyre ditëve, përtej zhurmës dhe tymnajës për përfitime meskine ne sot jemi për të folur qartë e në mënyrë transparente, duke demonstruar se si ky sistem do t’i përgjigjet emergjencës në arsim”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit deklaroi se sistemi i ri i punësimeve në arsim ka në themel tre parime: meritë, konkurrencë dhe transparencë.

“Meritën ne e shohim si themelin bazë, jo vetëm për të zgjidhur këtë situatë emergjente në arsim, por edhe për të mundësuar një cilësi të re në shkollat tona, një cilësi të re të mësimdhënies. Ne jemi të vendosur për ti thënë  të vërtetat, sepse nuk ka gënjeshtër më të madhe që ju është thënë mësuesve, prindërve, gjithë shoqërisë  duke mos u lexuar rezultatet tejet të ulta të kalimit në provimin e shtetit apo edhe në testimin që realizuam”, tha ministrja Nikolla.

Gjatë aktivitetit në Shkodër, Ministrja Nikolla, për ta bërë sa më transparent procesin e sistemimit të mësuesve, demonstroi konkretisht se si fituesit, sipas renditjes së pikëve, përzgjodhën shkollën ku ata kishin mundësi të shkonin, në bazë të vendeve vakantë në DAR Shkodër , ZA Malësi e Madhe dhe ZA Pukë.

Në ditët në vijim, të gjithë mësuesit që janë shpallur fitues do të sistemohen sipas vendeve vakante në DAR apo ZA ku kanë aplikuar.

Ministrja, ndër të tjera, tha se ky provim do të përsëritet çdo vit si për kandidatët e ri ashtu edhe për ata që dëshirojnë të marrin më shumë pikë.

Në provimin kombëtar   “Mësues për Shqipërinë”, i cili u mirëadministrua në bazë të rregullave strikte nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit, morën pjesë, 5271 mësues në 25 profile. Vlerësimin pozitiv e morën vetëm 2082 kandidatë, pra 40% e tyre.

Rezultatet më të mira janë arritur nga mësuesit konkurrent në Drejtorinë Arsimore Tiranë, Fier dhe Lezhë, ndërsa rezultatet më të dobëta janë ato në Elbasan, Gjirokastër, dhe Tirana Qark.

Në Qarkun e Shkodrës morën pjesë 303 kandidatë dhe fituan vetëm 116 prej tyre. Në Qarkun e Tiranës nga 280 kandidatë fituan 111. Në Tiranën qytet nga 1089 kandidatë fituan vetëm 494. Në Durrës morën pjesë 314 kandidatë nga të cilët fituan 137. Në Vlorë morrin pjesë 341 dhe fituan 131. Në Kukës nga 60 fituan 29. Në Dibër nga 92 fituan 39, ndërsa në Lezhë nga 157 fituan 69 kandidatë.

 

Fjala e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në prezantimin e procesit të sistemimit të mësuesve fitues në provimin kombëtar “Mësues për Shqipërinë”