Ministry of Education and Sports

Propozimet e MAS për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë

Në vijim të informimit të publikut rreth procesit të pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë publik në vend, po ju njohim si më poshtë me propozimet e MAS për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, në ciklin e parë të studimeve.

MAS vijon përkushtimin për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, orientimin e studentëve drejt zgjedhjeve më të mira e të frytshme për ta dhe vendin si dhe për transparencë maksimale në vendimmarrje. Në këtë frymë, në vijim të procesit të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë dhe në përputhje me kërkesat e universiteteve, MAS propozon numrin e kuotave dhe tarifave që synojnë rritjen e cilësisë, pa cënuar mundësitë e të rinjve për t’u arsimuar.

Numri total i kuotave të përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014–2015, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në programet e studimeve 
jo-universitare profesionale dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, që sugjerohet të akordohen këtë vit akademik janë 19,726.

a)    Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë     19,166
b)    Kuota për program të dytë studimi                                     200
c)    Kuota për transferim studimesh                                          300
ç)    Kuota për shtetasit e huaj                                                   60

Këtu përfshihen dhe:

d)   Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit        600
e)   Kuotat për të verbërit                                                         15
f)   Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët                             20
g)   Kuotat për invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë                    15
j)    Kuotat për jetimët                                                              15

Në kuotat e propozuara janë marrë parasysh këto faktor; (i) kërkesat e vetë universiteteve bazuar në kapacitetet e tyre pritëse (ii) analiza e programeve me performancë të ulët nga viti akademik 2013-14. (iii) analiza e programeve me numër të ulët të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2013-2014 si edhe (iv) gjetjet paraprake të inspektimeve të kryera në IAL në kuadër të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë (VKL).

Tarifat e studimit që rrjedhin nga implementimi i këtij projektvendimi, do të kenë një efektet financiar prej rreth 512 milion lekë për IAL-të, çka krahasuar me vitin e kaluar akademik, parashikon një rritje prej 75.2 milion lekë më shumë për IAL-të të ardhura këto nga rritja e tarifës mesatare vjetore të studimit. Këto të ardhura do të rrisin mundësinë e IAL-ve publike, për rritjen e kapaciteteve mësimdhënëse dhe kerkimore shkencore, pajisjen me laboratorë kërkimorë, dhe për investimin e individëve në arsimin e lartë publik. 

Tarifat janë përcaktuar duke u bazuar në propozimet dhe kërkesat e vetë IAL-ve për tarifat e studimit por jo gjithmonë është pranuar tarifa e propozuar duke parashikuar tarifa më të ulëta se propozimet e ardhura për të mos rritur në mënyrë të ndjeshme në disa raste tarifat krahasuar me vjet. Marrja parasysh e kërkesave dhe propozimeve të tarifave nga IAL-të është në respekt dhe të autonomisë universitare për të garantuar një mësimdhënie cilësorë dhe standarte më të mira në mësimdhënie dhe kerkim shkencor.

Në këtë projektvendim MAS ka aprovuar një rritje të moderuar të tarifave por në një nivel më të ulët se kërkesat e vetë IAL-ve për rritje të tarifave të studimit. 

Përjashtimi nga tarifa e shkollimit për disa kategori te veçanta do të ketë me VKM të veçantë.

Pranimi i studentëve në institucionet e arsimit të lartë publik bëhet për ata që arrijnë rezultate kaluese në të gjitha provimet e “Maturës Shtetërore”. Edhe për vitin akademik 2014-2015, pranimi i studentëve në Institucionet e Arsimit të Lartë publik, bëhet nëpërmjet parimit Meritë – Preferencë dhe do të kryhet në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3). 

Pasi është plotësuar formulari A2 kryehet procesi i regjistrimit dhe shpallen fituesit. Regjistrimi i fituesve bëhet në dy faza. Faze e parë është regjistrimi online, ndersa në fazën e dytë bëhet regjistrimi me dokumentacion fizikisht në sekretaritë e IAL-ve. Kuotat, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit vetëm në ato programe studimi ku pranimi nuk cënon parimin e “Meritës”. Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit A3, sipas preferencave të kandidatëve mbështetur në VKM-në përkatëse.

Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët kanë aplikuar me formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve.

 

KLIKO KËTU për tabelën e kuotave