Ministry of Education and Sports

Projekti Qytetar Kundër Korrupsionit

Pjesë nga fjala e ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, në prezantimin e projektit “Projekti Qytetar Kundër Korrupsionit”:

Të dashur nxënës,

Ndërkohë që dëgjoja prezantimet tuaja m’u kujtua një frazë nga ato që të mbeten në kujtesë, falë forcës të imazhit që mbartin.

“Mos lini askënd të shkelë në mendjen tuaj me këmbët e tij të pista”. Ne, prindërit, mësuesit, shoqëria dhe qeveria, kemi detyrën dhe obligimin moral për të mos e lejuar këtë gjë. Është ky një imazh i fortë, pa e parafrazuar, në fjalët e Mahatma Gandhi.

Korrupsioni, e thënë shkoqur çdo akt korruptiv, minon themelin mbi të cilin ndërtohet një shoqëri: besimin. Një shoqëri e korruptuar është një shoqëri e pasigurt, një shoqëri që nuk bën përpara.

Kryeministri Rama e ka quajtur me të drejtë një sëmundje e madhe, ndaj të cilës kemi vetëm një armë: Modernizimi i sistemit, modernizimi i çdo mekanizmi strukturor të shtetit, modernizimi i çdo institucioni të tij. Ne jemi të vendosur që në luftën kundër kësaj sëmundjeje të kemi një qasje të re, të impelementojmë politika të reja dhe të dëshmojnë një vullnet të ri për të ecur përpara dhe për ta lehtësuar Shqipërinë nga kjo sëmundje gërryese, dekurajuese dhe shpesh herë paralizuese për shoqërinë.

Lufta ndaj korrupsionit nuk është ekskluzivitet vetëm i Qeverisë, por është një luftë e cila kërkon angazhimin e plotë dhe pa hezitim të të gjithë shoqërisë. Kjo betejë është e pamundur pa lidershipin tonë të qeverisë, në një aleancë të shëndetshme me shoqërinë, me familjen dhe me individin.

Shkolla është hapësira ku ndërtohet kjo aleancë dhe është pikërisht kjo arsyeja pse ne e nisëm me depolitizimin e saj. Hap ky i shoqëruar me hapjen e shkollës ndaj komunitetit nëpërmjet projektit ‘Shkolla Qendër Komunitare’ dhe me përfshirjen e drejtëpërdrejtë të prindërve në proceset e përzgjedhjes të mësuesve. Të gjithë hapat e ndërmarrë, reformat e nisura  që kanë për qëllim arsimimin cilësor, synojnë ndërtimin dhe forcimin e kësaj aleance.

Të gjitha reformat e nisura, që kanë për qëllim arsim cilësor, synojnë ndërtimin e forcimin e alenacës prindër-mësues-nxënës për vendimmarrje të rëndësishëm në jetën e shkollës.

Edukimi i vlerave të tilla si; respektimi i vlerave demokratike, interesimi për gjithçka që ndodh, ndershmëria, përgjegjësia për veprimet dhe sjelljen vetjake dhe të tjetrit, vetëpërmirësimi i vazhdueshëm, si dhe pasurimi i njohurive dhe aftësive shoqërore dhe kulturore, janë objektivat që synohen të arrihen me kurrikulën e re.

Unë do të falënderoja nxënësit e gjimnazeve pjesëmarrëse në këtë projekt, të cilët  propozuan që pjesë e kurrikulës së qytetarisë së klasës së dhjetë, të jetë pikërisht edhe një modul i posaçëm që mundëson dijen, kultivimin e qëndrimeve dhe sjelleve të luftës kundër korrupsionit. Padyshim, jo vetëm do të jetë në vëmendjen tonë, por do të jetë madje që këtë shtator, pjesë e rëndësishme e kurrikulës, jo vetëm në klasë të dhjetë, por pjesë integrale e gjithë kurrikulës ekstra dhe kroskurrikulare në të gjithë arsimin parauniversitar.

Kurrikula e re, e cila do të jetësojë kalimin nga kurrikula e tanishme, që bazohet në logjikën e lëndës, tek kurrikula që bazohet në logjikën e kompetencave, përfshin disa fusha kompetencash, ndër to edhe kompetencat personale dhe qytetare, të cilat koordinohen me qëllim; edukimin nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të brezave të rinj për vlerën e dijes në jetën reale.
 
Gjithashtu, në Javën e Inovacionit, duket me vend t’ju bëjmë me dije se po punojmë për jetësimin e një prej objektivave të Programit Qeverisës, i cili lidhet me dixhitalizimin në sistemin arsimor, me zbatimin e platformave e-learning në procesin e mësimdhënies. Reforma në përdorimin e teknologjisë së informacionit do të ofrojë një siguri më të madhe në aftësimin e nxënësit dhe mësuesit drejt sfidave të reja. Kjo mendoj se është baza e implementimit të strategjisë qeverisëse për modernizimin e sistemit.  

Projekte si “Projekti Qytetar kundër Korrupsionit”, marrin rëndësi të veçantë, sepse mundësojnë integrimin e edukimit antikorrupsion në arsim me kontekst real, historik, social-ekonomik, kulturor e psikologjik, pa të cilin nuk do të ishte i suksesshëm.
 
Ndaj, të dashur nxënës është e rëndësishme që ju të njiheni me problemin e korrupsionit në institucionet qeveritare dhe fenomenin në dimensionin e tij të përditshëm.
 
Fjalën, dëshiroj ta mbyll me një falënderim  për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, e cila jo vetëm mbështeti këtë aktivitet, por në vijimësi është mbështetësja jonë në politikat tona arsimore.

Gjithashtu, një falënderim për Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësimin, për punën e përkushtuar në drejtim të implementimit të projekteve në drejtim të ndërgjegjësimit shoqëror.

Një falënderim edhe për ju të dashur nxënës për punën, entuziazmin dhe përkushtimin tuaj në këtë projekt.

Suksese!