Ministry of Education and Sports

Prezantohet “Studimi i treguesve antropometrikë dhe i cilësive fiziko-lëvizore për nxënësit me moshë 6 – 18 vjeç, në arsimin parauniversitar shqiptar”

Federata Shqiptare e Sportit Shkollor në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit organizoi  Konferencën e Dytë Kombëtare me temë: “Studimi i treguesve antropometrikë dhe i cilësive fiziko-lëvizore për nxënësit me moshë 6 – 18 vjeç, të arsimit parauniversitar shqiptar”. Në panelin e kësaj konference morën pjesë Presidenti i Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor, Z. Vladimir Rada, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Mirela Karabina, Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Z. Rauf Dimraj, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito dhe Prof. Dr. Albert Karriqi, Universiteti i Sportit Tiranë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor, Z. Vladimir Rada  falenderoi të gjithë mësuesit e edukimit fizik për mbështetjen e dhënë dhe për punën e tyre të palodhur në realizimin e studimit të treguesve antropometrikë dhe cilësive fizike atletike.

“Kjo punë promovon dhe vlerëson figurën e mësuesit të edukimit fizik nga institucionet përkatëse, komuniteti, shoqëria dhe më gjerë për të gjithë kontributin që ata japin çdo ditë në edukimin e fëmijëve në mbarë vendin”, u shpreh Z. Rada.

Në fjalën e tij përshëndetëse Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Z. Rauf Dimraj u shpreh se studimi mbështet politikën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për organizimin dhe zhvillimin e edukimit fizik në vend, mbi baza shkencore dhe përfaqëson një studim të vlefshëm që bëhet për herë të parë jo vetëm në Shqipëri. Ky studim nxjerr në pah gjendjen reale të këtyre parametrave fiziko-lëvizore e të përbërjes trupore të çdo nxënësi, si edhe evidenton e krijon, për herë të parë, standardin e këtyre parametrave për rininë shkollore të vendit tonë.

 

“Sot FSHSSH, me mbështetjen dhe kontributin e MAS, ngriti grupin e punës dhe zhvillon Konferencën e Dytë Kombëtare për lëvizjen fizike si dhe prezanton “Studimin e cilësive fizike dhe antropometrike për gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, mosha 6-18 vjeç. Pikënisja ishte hartimi shkencor dhe didaktik bashkëkohor i platformës së edukimit fizik, me të cilën vuajtëm të gjithë, ata që ishin skeptikë me këtë program risi, si dhe ne që mundoheshim nëpër terrene të vështira sportive, për kurorëzimin e saj.  Është studimi i parë që bëhet në Shqipëri për matjen e cilësive fiziko-atletike për nxënësit e Shqipërisë  6-18 vjeç. Është një testim që nga përmasat e numrit të nxënësve pjesëmarrës, si dhe në numrin e parametrave të matur në fushë, përbën një rast unik kudo qoftë në botë.

Studimi përcakton standardet aktuale të cilësive fizike- atletike-antropometrive për çdo moshë të nxënësve, duke njohur edhe gabimet që janë të paevitueshme gjatë matjeve nga mësuesit. Studimi shërben për seleksionimin e talentit në sport, vlerëson punën e mësuesit të fizkulturës, DAR/ZA-ve. Studimi është pasqyra e gjendjes se ku jemi sot dhe mundëson programimin e strategjive se ku do të arrijmë nesër. Programi për masivizimin e edukimit fizik në arsimin parauniversitar, ka gjetur miratime, jehonë dhe mbështetje në shtetet perëndimore”, tha  Zëvendësministri Dimraj, gjatë fjalës së tij.

Në fjalën e saj përshëndetëse Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Mirela Karabina, falenderoi mësuesit, Federatën Shqiptare të Sportit Shkollor dhe grupin e punës që realizoi studimin. Ministrja Karabina theksoi se figura e mësuesit është kyçe për një sistem arsimor cilësor dhe gjithëpërfshirës.

“Duke parë shtrirjen e këtij studimi në të gjithë vendin, gjetjet dhe impaktin në vijimësi të këtij programi, jemi plotësisht të bindur se nuk do të ishin siguruar pa bashkëpunimin dhe punën e përkushtuar të përfaqësuesve tanë në drejtoritë arsimore dhe mësuesve tanë në shkolla. Gjej rastin të falenderoj dhe të përshëndes drejtorët e drejtorive rajonale dhe përgjegjësit e zyrave si dhe personat e kontaktit, e mësuesit e çdo shkolle, të cilët u angazhuan gjatë fazave të studimit, por ajo që është më e rëndësishmja, ata do të vijojnë të jenë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë, për proceset mësimore e sportive të fëmijëve në sistemin tonë parauniversitar”, tha Mirela Karabina.

Në konferencë ishe e pranishme dhe Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito, e cila vlerësoi rolin e teknologjisë në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore në këtë studim. Ministrja Harito vuri theksin mbi domosdoshmërinë e përshtatjes me kohën dhe ecjen me hapin e kohës në një botë ku zhvillimi teknologjik është i vazhdueshëm dhe i shpejtë. Ajo theksoi se në epokën e teknologjisë që po jetojmë mësuesit janë të parët që kanë detyrimin që të ecin me këtë hap dhe t’i përgjigjen zhvillimeve që ndodhin në këtë drejtim.

Konferenca u finalizua me prezantimin e studimit, nga Prof. Dr. Albert Karriqi nga Universiteti i Sportit Tiranë. Studimi i treguesve antropometrikë dhe i cilësive fiziko-lëvizore do të botohet në muajin shtator 2017-të.