Ministry of Education and Sports

Prezantimi i Raportit përfundimtar të Reformës në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor

Më poshtë fjala e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla

 

Respekt dhe mirënjohje të plotë për të gjitha vërejtjet dhe debatin konstruktiv të ofruar, që na dhanë mundësinë të gjithëve ne aktorëve të rëndësishëm të politikëbërjes, por posaçërisht  Komisonit Gjonçaj që të ketë mundësinë e reflektimin dhe pasqyrimit në Raportin Final. Vijmë sot, në takimin e tretë, pasi kemi përshkruar një rrugë në mbrojtje të fortë të një parimi, atë të gjithëpërfshirjes së të gjithë aktorëve në këtë debat, për një reformë të plotë dhe të thellë që na përket të gjithëve.

Përshkuam një axhendë të gjatë publike, e cila mundësoi mbërritjen në këtë faze, siç është dhe prezantimi i Raportit përfundimtar të Reformës në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor,  të cilin e shoh si një standard të ri të vendosur në Shqipëri në politikëbërje. Sigurisht, sot jemi shumëfish më të impenjuar se dje, për të punuar më shumë edhe për faktin që vijmë pas marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, çka na impenjon bashkarisht, për ta kthyer Arsimin e Lartë në Shqipëri dhe Kërkimin Shkencor pjesë të rëndësishme të hapësirës evropiane .

Miqtë e mi, Qeveria Shqiptare nënshkroi pak ditë më parë dy marrëveshje të rëndësishme me KE, Erasmus + dhe Horizon 2020, dy marrëveshje partneriteti që thërrasin për ngritjen e kapaciteteve, për përfshirjen e Profesoratit dhe gjithë kërkuesve tanë në një standard të ri për të mundësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në hapësirën evropiane të kërkimit shkencor.

Doja t’i falënderoja të gjithë, profesorë, studentë, dekanë, që përçuat me shumë integritet, por edhe me shumë përgjegjësi gjithë debatin që shoqëroi këtë process, nga prezantimi i Draftit të parë të Reformës deri në ditën e sotme, duke ju siguruar që edhe pse realizuam atë që premtuam ajo do të ishte një reformë ku flisnin specialistët dhe ku politika realisht qëndroi larg. Kam ndjekur me shumë interes dhe përgjegjësi të gjithë vërejtjet që kanë ardhur nga struktura të organizuara të këtij debati. Padyshim, falënderoj të gjithë ata që ndoshta në nxitim e sipër vendosën syzet e nihilizmit për të parë gjithçka që ndodhte rreth këtij procesi. I siguroj që i kemi dëgjuar me shumë vëmendje. Padyshim ata janë pjesë e një debati të shëndetshëm që do të shoqërojë edhe realizimin e një ligji të ri për Reformën në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.

Profesorë të nderuar, anëtarë të komisionit, mirënjohje për profesionalizmin dhe punën e palodhur, për dedikimin duke shkuar kudo ku ishte interesi, duke ndjekur aulat e universiteteve publike dhe jopublike në Tiranë dhe kudo tjetër në Shqipëri, për të dëgjuar dhe për të reflektuar në këtë draft përfundimtar të Reformës në Arsimin e Lartë. Sigurisht ia dolët në një kohë të shkurtër, falë integritetit akademik, falë edhe këtij pasioni prej misionari. Ndihem, padyshim tejet e vlerësuar që kam pasur mundësi të këshillohem nga ju, por edhe të ndërtonim këtë komunikim të ri që do të jetë e dhëna bazë në gjithë veprimtarinë e kësaj qeverie, posaçërisht e MAS-it, duke ju dëgjuar me vëmendje, të vendosur për të çuar deri në fund këtë reformë të Arsimit të Lartë.

Sigurisht është një reformë që vë në qendër të saj universitetin, jo si një strukturë burokratike dhe si e tillë me një autonomi të cunguar, një universitet të ngrirë e aspak të aftë të përballet me sfidat e kohës. Kjo reformë e sheh universitetin me sytë e studentit dhe të pedagogut; Cilësi në mësimdhënie dhe në jetën akademike.

Kam dëgjuar e shqetësuar kritikat që kanë ardhur në emër të reformës, duke thënë se kjo reformë cënon autoniminë e universiteteve. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Duam që universitetet shqiptare të dalin nga gjumi letargjik, ku autonomia fiktive e ka hedhur universitetin sot, për të kërkuar realisht një autonomi që do të thotë mundësi për të vepruar në treg me liri të plotë si gjithë aktorët e tregut. Duam një universitet që ka për qëllim jo vetëm lëvrimin e privilegjit apo të titujve akademik si qëllim në vetvete, por një universitet si strukturë ku talenti kultivohet dhe idetë qarkullojnë të lira dhe ku liria akdemike është kryefjala e punës suaj. Ne jemi për akses të gjerë në Arsimin e Lartë, sigurisht nuk kemi ndërmend të ndërpresim asnjë aspirat të të rinjve shqiptarë, përkundrazi aspirojmë t’i mbështesim fort për t’u arsimuar.

Lejomëni t’ju bëj me dije se krahas kësaj rruge të re që lidhet me një model të ri dhe me një reformë të re, të plotë dhe të thellë, tregojmë edhe dy momente të rëndësishme që janë shprehje e vullnetit dhe e vendosmërisë së kësaj qeverie për të mundësuar një realitet krejtësisht të ri të cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor. Besoj se të gjithë jeni dëshmimtarë që pas 20 viteve për herë të parë  institucionet e Arsimit të Lartë, publike dhe private po i nënshtrohen një procesi të plotë transparence dhe kontrolli që lidhet me verifikimin e kritereve të licensimit. Një proces që po përfundon falë edhe angazhimit tuaj, por sigurisht edhe vendomërisë së qeverisë për të mundësuar për çdo familje shqiptare, për çdo të ri, për çdo të re, një qartësi të plotë për cilësinë e universiteteve, për cilësinë e diplomave, por njëkohësisht edhe për të mundësuar që reforma të orientohet në mënyrë transparente, në shtratin e duhur të një vlerësimi real përmes inspektimit.

Falë këtij vullneti dhe falë këtij angazhimi, falë kësaj prove që besoj bashkë me ju e tejkaluam, një agjenci anëtare e ENQA-së ka nënshkruar kontratën dhe do të doja t’i shprehja mirënjohjen Këshillit Britanik për rolin që ka luajtur në këtë proces. Agjencia fillon punën për të realizuar deri në fund të dhjetorit procesin e plotë të akreditimit dhe të rankimit të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, publik dhe privat në vend.

Një falënderim për të gjithë ju që na shoqëruat në procesin e debatit me sugjerimet tuaja konstruktive. Ka qenë padyshim një debat nga më të shëndetshmit. Falënderoj për një punë të shkëlqyer Komisionin Gjonçaj. Ndihem me fat që kam qenë pjesë e këshillave tuaja, padyshim e vendosur për të shënuar një epokë të re të cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në vend.

 

Këtu mund të shkarkoni një përmbledhje të Raportit Përfundimtar