Ministry of Education and Sports

Prezantimi i Raportit Paraprak për Reformën në Sistemit Arsimor Parauniversitar

FJALA E MINISTRES NË KONFERENCË

Të nderuar pjesëmarrës.

Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, sot, kam kënaqësinë t’u përshëndes në këtë Konferencë të rëndësishme, kushtuar sfidave që duhen përballur për zbatimin e qasjes së re kurrikulare. Njëkohësisht, të ndaj me ju disa nga përpjekjet, arritjet dhe vështirësitë që po ndeshim në procesin e reformimit të sistemit tonë arsimor.

 

Ne vijmë sot në këtë Konferencë me një ndjenjë përgjegjësie të lartë por dhe me vetëdijen që rruga e ndërmarrë është ajo e duhura. Lajmi i mirë, marrja e statusit kandidat, është qartazi shprehi i një vullneti për të na mbështetur në rrugën e reformave.

 

Sigurisht, kjo është një rrugë e gjatë por ne kemi hedhur disa hapa të rëndësishëm. Nënshkrimi i Marrëveshjes me Republikën e Kosovës, marrëveshje për përafrimin e sistemeve arsimorë, gjë për të cilën unë ndihem shumë krenare, përfaqëson një arritje të rëndësishme gjithashtu dhe në kuadrin e kësaj reforme. Sot, prezantojmë Raportin Paraprak të Grupit të Punës për Reformimin e Arsimit Parauniversitar, si një dokument i domosdoshëm dhe për hapjen e diskutimit dhe të këshillimit me aktorët e përfshirë.

 

Arsimin për ne është një ndër politikat më të mira ekonomike por dhe politika më e shëndëtshme kombëtare. Në këtë kontekst, politika jonë arsimore synon t’i mundësojnë çdo nxënësi diplomim në universitet, përfitimin e një profesioni, ose sistemimin në një vend pune. Sigurimi i një arsimi demokratik, cilësor, gjithëpërfshirës është në fokusin e vëmendjes së Qeverisë tonë.

 

Qasja e re ndaj kurrikulës, duke e bazuar atë në kompetenca, paraqet një zhvendosje domethënëse nga kurrikula tradicionale duke e përafruar me kurrikulat e vendeve europiane dhe kërkon ndryshime të thella, që prekin të gjithë sistemin arsimor, dokumentacionin kurrikular, organizimin dhe vlerësimin e nxënieve, reformimin e sistemeve të formimit fillestar, të kualifikimit dhe të zhvillimit profesional të burimeve njerëzore në punë, deri tek infrastruktura fizike e institucioneve arsimore.

 

Kjo qasje e re merr parasysh vizionin bashkëkohor rreth nxënies, dijes, njohurisë, inteligjencës, vlerave dhe qëndrimeve dhe krijon mundësi më të mëdha për të shtjelluar dhe për të kuptuar kurrikulën e bazuar në kompetenca. Modeli kurrikular i përzgjedhur frymëzohet nga një teori efektive e njohjes dhe një logjikë e re kurrikulare. Në themelin e këtij modeli qëndron ideja se përvetësimi i dijeve në procesin e nxënies synon gjetjen e përgjigjeve që shtrojnë situatat reale, duke vendosur lidhjet mes dijeve lëndore dhe konteksteve jetësore; se dija është e lidhur me situatat dhe përdoret “për të bërë gjëra”; se mendjet nuk janë të afta vetëm të mbushen, por dhe të zgjerohen; se burimet e informacionit jashtë kontekstit shkollor janë më të rëndësishme se përmbajtjet e programeve mësimore; se krahas të veçantave të çdo programi mësimor, ekzistojnë mjaft elemente kryesore që u përkasin të gjitha programeve, kuptimi dhe përdorimi i të cilave ndikon procesin reformues. Tashmë, ne nuk e shohim kurrikulën si rimodelim të thjeshtëzuar vetëm të programeve, pasi ka argumente që provojnë se sa më globale dhe sistemike të jetë reforma kurrikulare, aq më i pamundur është kufizimi vetëm në një prej përmasave të saj.

 

Ndjehemi me fat që në përballjen me sfidat e procesit reformues, kemi arritjet, përvojat dhe bashkëpunimin e kolegëve dhe të specialistëve të Kosovës. Harmonizimi i dy kurrikulave tona, nga një anë, siguron zbatimin e ligjit tonë të ri për arsimin parauniversitar, sipas të cilit “kurrikula hartohet dhe zbatohet në bazë të kompetencave themelore të nxënësve”. Nga ana tjetër, kurrikulat e dy vendeve konkretizojnë kornizën europiane të kompetencave kyç për nxënien gjatë gjithë jetës. Kështu, harmonizimi kurrikular do të integrojë më tej hapësirën arsimore shqiptare me zhvillimet bashkëkohore europiane e më gjerë. Zhvillime këto që e konceptojnë kurrikulën si frymë, si proces dhe produkt, si entitet elastik që integron nxëniet në situatat e kuptueshme me fushat e interesit të nxënësve. Reformat kurrikulare do të nxitin dhe do të zhvillojnë më mirë burimet vetjake të nxënësve (njohuritë e reja, kompetencat, vetëbesimin, vetëshprehjen, bashkëpunimin me të tjerët, shpirtin sipërmarrës etj.), të ndihmuar ata nga mësuesit dhe nga dijet e teksteve shkollore (të shtypura dhe digjitale), nga laboratorët, nga punishtet, nga kompjuterët, nga tabletat, nga CD-të, nga videot, nga ndërveprimet praktike me mjedisin etj.

Harmonizimi i sistemit tonë parauniversitar me sistemin arsimor të Kosovës dhe sistemet arsimore europiane do të zhvillojë në vijimësi kapacitetet e sistemit arsimor për nxënie cilësore, të krahasueshme me ato të vendeve europiane. Shqipëria do të mund të përfitojnë jo pak nga mënyra si është konceptuar kurrikula e arsimit parauniversitar në Kosovë dhe në vendet e BE-së. Ndërsa, Kosova do të përfitojë nga ekspertiza dhe përvojat tona të mira në fusha të caktuara. Në kontekstin e ri, institucionet, ekspertët dhe punonjësit arsimorë tanë do të mund të zhvillojnë, veçmas dhe së bashku, projekte dhe risi që u shërbejnë përmirësimit të cilësisë së arsimit, lëvizshmërisë së nxënësve/ studentëve dhe mësuesve/pedagogëve për të fituar njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve e të programeve të studimit dhe do të thellojnë bashkëpunimin për zgjedhjen e problemeve të përbashkëta arsimore etj. Kësisoj, harmonizimi i kurrikulave mund të konsiderohet një hap i sigurt në procesin e integrimit të hapësirës arsimore shqiptare me atë europiane, të referencave të qytetarisë shqiptare me referencat e qytetarisë europiane.

Ndërkaq, po shfrytëzoj mundësinë që më ofrohet, për të ndarë me auditorin disa ide që lidhen me konceptimin dhe zhvillimet kryesore të reformës kurrikulare në Shqipëri.

Fillimisht, më duhet të them se, politikat e derisotme të arsimit parauniversitar në Shqipëri, me gjithë përpjekjet për të përfshirë kompetencat në kurrikul, nuk kanë mundur t’i shndërrojnë ato në përparësi të reformave të ndërmarra e, aq më pak, në realitete të prekshme në dokumentacionin shkollor, në praktikën mësimore dhe si elemente kyç të formimit të nxënësve.

Ndërkaq, jemi të vetëdijshëm se procesi i reformimit të sistemit arsimor nuk mund të reduktohet në një vizion të vetëm. E konsiderojmë atë proces kompleks me shtrirje të gjerë, që kërkon një reformë të përditësuar që do të integrojë thellë qëllimet arsimore me qasjen kurrikulare, me pedagogjinë, me vlerësimin, me besimet dhe me vlerat e mësuesve, me burimet e nevojshme dhe me komunitetet. Për t’i kontribuar, kështu, zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, përmes formimit të punonjësve dhe të specialistëve me njohuritë, kompetencat, vlerat dhe qëndrimet e kërkuara nga tregu i punës dhe nga kohezioni shoqëror.

Reformimin e kurrikulës e kemi konceptuar në kontekstin e strategjisë së re arsimore 2014-2020. Kjo e fundit, po hartohet duke harmonizuar vizionin dhe politikat tona për arsimin, me referencat arsimore europiane dhe ato të Kosovës.

 

Në këtë kontekst, jemi përcaktuar që kurrikula e re të jetësojë kalimin nga kurrikula e tanishme, që bazohet në logjikën e lëndës, tek kurrikula që bazohet në logjikën e kompetencave.

 

Kurrikula aktuale, e cila theksin e vë mbi përmbajtjet lëndore, si qëllim i nxënies, ka bërë që nxënësve t’u mësohen dije lëndore, për t’i kuptuar më mirë ato dhe për t’i zbatuar në situata standarde ose afërsisht të tilla, të projektuara për këtë qëllim, por jo për t’i përdorur këto dijet për t’iu përgjigjur nevojave dhe pyetjeve që shtrojnë situatat jetësore. Kjo mënyrë konceptimi ka krijuar vështirësi të mëdha për mësuesit, për nxënësit, për shoqërinë në tërësi. Sot, pranohet pa asnjë mëdyshje se, ky model nuk është më i përshtatshëm, sepse shoqëria jonë ka nevojë që të rejat dhe të rinjtë, më shumë se një elitë e vogël, të jenë të aftë të ndërveprojnë aktivisht dhe t’i përdorin praktikisht me dijet dhe njohuritë e fituara. Ndaj, ndërtimi dhe përdorimi nga nxënësit i njohurive të reja dhe kompetencave për jetën dhe punën, në çdo nivel të sistemit arsimor, përbën sfidën kyç të reformave tona kurrikulare, objektivin e tyre. Këtë sfidë po e përballim përmes politikave të reja që harmonizojnë zhvillimin e kurrikulës së re me reformimin e Fakulteteve të Arsimit dhe të sistemeve që mbështetin kualifikimin dhe zhvillimin profesional të specialistëve, të mësuesve dhe të drejtuesve të institucioneve arsimore të çdo niveli administrimi.

 

Sapo përfunduam Kornizën kurrikulare, dokumentin kyç për organizimin e sistemit arsimor dhe sot paraqesim Raportin Paraprak mbi Reformën e Sistemit Arsimor Parauniversitar. Kemi përdorur si model Kornizën e Kosovës, e cila ka harmonizuar nevojat e shoqërisë kosovare për një arsim parauniversitar bashkëkohor, me referencat arsimore europiane e më gjerë. Modeli është përshtatur sipas përparësive të politikës tonë arsimore. Ai do të sigurojë kalimin nga përqendrimi mbi përmbajtjet lëndore dhe kohën mësimore, drejt një gjendjeje të re, që thekson rezultatin e nxënies (njohuri, shkathtësi, vlera, qëndrime etj.). Thënë ndryshe, kurrikula e re do të përdorë kompetencën si parim organizues të saj. Kjo mënyrë konceptimi reflektohet:

 

  1. në pritshmëritë e sistemit arsimor parauniversitar;
  2. në strukturën e tij;
  3. në brendinë dhe hierarkinë e dokumenteve kurrikulare;
  4. në kompetencat profesionale të mësuesve dhe specialistëve të arsimit etj.

 

a) Profili i nxënësit.  Pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë, pritet që:

 

  • Nxënësi të komunikojë në mënyrë efektive.
  • Nxënësi të mendojë në mënyrë krijuese.
  • Nxënësi të dijë si të mësojë vetë.
  • Nxënësi të kontribuojë në mënyrë produktive.
  • Nxënësi të bëjë jetë të shëndetshme.
  • Nxënësi të përkushtohet ndaj të mirës së përbashkët.
  • Nxënësi të përdorë teknologjinë për të nxitur inovacionin.

 

Ky profil është rezultat i ndërtimit nga nxënësit të shtatë kompetencave kyçe, të njëjta me korpusin e kompetencave themelore përcaktuar në kurrikulën e sistemit arsimor të Kosovës. Ai është i krahasueshëm me profilet e nxënësve që promovojnë BE-ja, OECD-ja, UNESKO-ja etj.

 

b) Struktura e sistemit. Kemi njësuar nivelet arsimore të sistemit tonë me të sistemit kosovar (5+4+3) dhe kemi kaluar nga viti shkollor, si njësia bazë e kohës mësimore, tek shkalla e kurrikulës, që zgjeron me më shumë se një vit kohën e nevojshme për nxënësit që të arrijnë rezultatet e të nxënit përcaktuar për secilën shkallë. Shkalla kurrikulare i lejon shkollat dhe mësuesit të përshtatin më mirë nxëniet me ritmet dhe stilet e nxënësve. Shkalla, kështu, do të lejojë mësuesit dhe specialistët e tjerë të koordinojnë më mirë përpjekjet e tyre, që nxënësit të përparojnë sipas aftësive dhe të nxiten për të bërë më të mirën e tyre të mundshme.

c)  Brendia dhe në hierarkia e dokumenteve kurrikulare. Zhvendosja nga pedagogjia me objektiva (përmbajtja lëndore si qëllim i nxënies) drejt qasjes bazuar në kompetenca (përmbajtja lëndore si mjet për ndërtimin njohurive të reja dhe të kompetencave), tejkalon konceptin e lëndës dhe promovon si instrument kurrikular konceptin e fushave të nxënies. Fushat pasqyrojnë arritjet, mendimet, çështjet, zbulimet dhe kufizimet e njerëzimit. Ato qarkojnë aspekte të ndryshme të kulturës dhe grupojnë lëndë që janë të lidhura ose kanë fokuse të përbashkëta.

Në kontekstin kurrikular, kjo zhvendosje në paradigmë lejon të ndërtohen situata mësimore, trajtimi i të cilave ndihmon ndërtimin e kompetencave nga nxënësit. Zhvendosja nënkupton transferën e nxënies, ose kapacitetin për të përdorur efektivisht burimet dhe për t’i shfrytëzuar rezultatet e nxënies në situata të reja.

Në kontekstin e praktikës shkollore, organizimi i nxënies në bazë fushe kërkon punën e përbashkët të mësuesve, menaxhimin elastik të nxënësve, të kohës dhe të hapësirës. Kurrikula e re kërkon integrimin e kompetencave profesionale të mësuesve. Puna në grup e mësuesve të fushës do të mundësojë ndarjen e detyrave dhe organizimin e grupeve në mënyra të ndryshme, sipas situatave dhe projekteve që ndërmerren. Duke punuar në grup, mësuesit e fushës do të identifikojnë dhe do të kuptojnë më shpejt sfidat dhe vështirësitë dhe pritet të gjejnë strategjitë e përshtatshme për t’i kapërcyer ato.

Kurrikulat tona kanë pesë fusha të përbashkëta, ndërsa fushat “Shëndetit/mirëqenia” dhe “Jeta dhe puna”, të kurrikulës së Kosovës, në modelin tonë kurrikular, janë përshtatur si fusha “Edukim fizik, sporte dhe shëndeti dhe “Teknologjia dhe TIK-u”. Përshtatja do të sjellë disa ndryshime jo thelbësore në Kurrikulat bërthamë për nivelet arsimore. Gjithashtu, specialistët tanë të hartimit të kurrikulës, nisur nga vështirësitë dhe sfidat që formulon kurrikula e re për mësuesit, për drejtuesit, për trajnuesit, për vlerësuesit dhe për hartuesit e teksteve shkollore, po diskutojnë mundësinë e përgatitjes së programit mësimore, instrument të cilin nuk e përmban kurrikula e Kosovës.

Në optikën tonë, kultura e re e të nxënit, mënyra sipas të cilës e perceptojmë dhe do t’i japim jetë këtij procesi, synon të sigurojë kushtet për t’ia përshtatur arsimin jetës. Më së paku, kjo kërkon nga mësuesi jo thjesht recitimin dhe transmetimin e përmbajtjeve tek nxënësit. Janë njohuritë e reja, vlerat, qëndrimet dhe kompetencat, ato që do t’u japin nxënësve mundësinë të realizojnë përvoja të larmishme, që të plotësojnë nevojat dhe interesat e tyre. Nëse arrijmë ta mbështetim dhe ta përshtatim të nxënit mbi situatat reale, mësuesit nuk do të jenë të vetmit që ndikojnë dhe i ndihmojnë ata. Prindërit, motrat dhe vëllezërit, fqinjët, drejtuesit e bashkësisë, njerëzit e urtë dhe të mençur të komunitetit, artistët, sipërmarrësit dhe mjaft të tjerë do të ofrohen për të ndikuar, orientuar dhe ndihmuar. Ky stil i metodës së të nxënit, që kërkon dhe ve nxënësit në qendër të procesit, në fakt, pasqyron një proces thellësisht delikat të humanizmit, duke kombinuar njëherazi parimet demokratike dhe vlerat morale. Ndaj, jemi të përkushtuar për të jetësuar një kurrikul të re që të ndihmojë nxënësit të zhvillojnë inteligjencën dhe të ndërtojnë njohuritë, kompetencat, vlerat dhe qëndrimet përmes veprimit, përvojave dhe projekteve të tyre, duke reflektuar mbi veprimet dhe mbi rezultatet që përfton prej tyre.

 

d) Kompetencat profesionale të mësuesve dhe specialistëve të arsimit. Zhvendosja drejt kurrikulës së re është ndryshim rrënjësor në mendësi dhe në praktikën shkollore. Ajo vlerëson si parësor suksesin, jo për sa më shumë nxënës, por për të gjithë ata. Kjo, sigurisht, kërkon rindërtimin e koncepteve profesionale të specialistëve, të mësuesve dhe të drejtuesve për organizimin e nxënies dhe për vlerësimin e rezultateve të nxënësve dhe të shkollave. Ne duam të përgatitim breza, që të përshtaten me ndryshimin dhe të punojnë në punë që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, ndaj po e rimendojmë arsimin. Shoqëria jonë po evoluon dhe po përgatitet për të sfiduar devijimet që e pështjelluan jo pak, duke riorganizuar themelet, duke ripërcaktuar perspektivat dhe qëllimet e saj, çka kërkon të zhvillojmë një vizion imponues për nxënien në shekullin e ri, ta komunikojnë atë me pasion dhe të mundësojnë që ky vizion të konkretizohet në të gjithë nivelet e sistemit.

Ju faleminderit!