Ministry of Education and Sports

Prezantimi i Platformës së Edukimit Fiziko-Sportiv në Sistemin Arsimor

Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj prezantoi sot Platformën e edukimit fiziko-sportiv në sistemin arsimor. Gjatë konferencës zv/ministri Dimraj tha se qëllimi i platformës është të përmirësojë shëndetin, sidomos të rinisë shkollore, nëpërmjet masivizimit të aktivitetit fizik.

“Platforma e Edukimit Fiziko-Sportiv në Sistemin tonë Arsimor do të masivizojë zhvillimin e aktiviteteve fiziko-sportivë në gjithë vendin mbi bazat e shkencave të lëvizjes humane”, tha Z. Dimraj.

Sipas tij, masivizimi i edukimit fiziko-sportiv për gjithë brezin e ri shkollor përbën qëllimin prioritar për krijimin e kulturës përkatëse bashkëkohore për shoqërinë shqiptare.

"Për të njohur plotësisht realitetin aktual mbi organizimin dhe zhvillimin e Edukimit Fiziko-Sportiv në Sistemin tonë Arsimor u dërguam të gjitha DAR/ZA-ve e respektivisht tërë shkollave të arsimit parauniversitar të vendit një pyetësor prej 43 pikash, i cili së bashku me përgjigjet e shkollave shpjegon qartë se aktivizimi i përshtatshëm fiziko-sportiv në shkollat tona është i prapambetur. Unë mendoj se ne të gjithë me kontributet tona duhet të fusim në natyrën e jetës së shoqërisë sonë, Edukatën e Lëvizjes si bazë e Edukimit Fizik dhe Sportit, duke arritur atë që sot mungon më shumë se asnjëherë tjetër “Masivizimin e Edukimit Fizik dhe Sportit”", tha Z.Dimraj

Platforma e edukimit fiziko-sportiv në sistemin arsimor, në thelb paraqet një strukturë bashkëkohore zhvillimi, e cila i krijon sistemit arsimor dhe vete shoqërisë rrugët për zhvillimin e edukimit fizik.