Ministry of Education and Sports

Prezantimi i manualit për aftësimin e mësuesve  në edukimin gjithëpërfshirës

Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me organizatën World Vision kanë prezantuar sot, botimin e manualit në ndihmë të mësuesve “Jam mes jush, i ndryshëm, i barabartë”, që synon aftësimin e mësuesve dhe specialistëve të arsimit në edukimin gjithëpërfshirës.

Ky manual është një përmbledhje njohurish dhe praktikash të suksesshme të përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuar në shkollat e sistemit parashkollor dhe atij 9-vjeçar. 

Në prezantimin e manualit, e pranishme ishte Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj e cila tha se prioritet i MAS është edukimi cilësor i gjithë fëmijëve, duke përfshirë edhe ata me nevoja të veçanta, por gjithashtu edhe edukimi i komunitetit me qëllim rrëzimin e barrierave diskriminuese e për ta bërë shoqërinë më fleksibël.

“Në strategjinë e arsimit 2015-2020, janë përfshirë edhe mësuesit ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta, të cilit për herë të parë këtë vit u bënë pjesë e arsimit parauniversitar”, tha Malaj duke shtuar se është shumë e nevojshme vendosja e standardeve për mësuesit që të dinë të punojnë me gjithë kategoritë e veçanta.

Sipas Malaj, ky manual ndihmon mësuesit që edukimi i fëmijëve me aftësi ndryshe dhe mësimdhënia për ta të jetë sa më bashkëkohore, me qëllim gjithëpërfshirjen e tyre në shkolla.

Manuali është një përmbledhje ushtrimesh dhe këshillash që i tregojnë mësuesit si të përfshijë në klasë jo vetëm nxënësin me aftësi ndryshe, por edhe bashkëmoshatarët e tij. Ky manual është pilotuar në dhjetë rrethe të Shqipërisë, nga 339 arsimtarët dhe sot u prezantuan metodologjia e përdorur në hartimin e manualit dhe opinionet e mësuesve si përdorues të tij.

Brenda manualit, mësuesit do të gjejnë kapituj të veçantë me këshilla të thjeshta sesi të punojnë me fëmijë që kanë kufizime fizike dhe intelektuale si autizmi, kufizime në të folur, në të shkruar, në të lexuar e në aftësitë e komunikimit; aftësi të kufizuara në matematikë, hiperaktivitet dhe disleksi.

Përveç këtyre kapitujve, manuali përmban histori të vërteta pune dhe tregon mënyrën e thjeshtë sesi, çdo mësues, mund të përgatisë Planin e Edukimit Individual për çdo nxënës me aftësi të kufizuar, sipas nevojave. 

580 mësues të tjerë do të trajnohen nga organizata World Vision gjatë vitit në vazhdim në Tiranë, Durrës, Dibër, Shkodër, Lezhë, Kurbin, Korçë, Elbasan, Librazhd.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, e mbështetur dhe nga partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, synon të përmbush të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar për një edukim cilësor.

Për këtë arsye, nisur edhe nga Marrëveshja e Mirëkuptimit të World Vision me MAS, synohet të  kontribuohet në: rritjen e numrit të fëmijëve me aftësi të kufizuar, fëmijëve nga komuniteti Rom dhe Egjiptian në shkolla, rritjen e mundësive për ta që të përfundojnë arsimin e detyruari si dhe kualifikimin e stafit arsimor që aplikon metoda gjithëpërfshirëse në një shkollë që promovon standardet e “Shkollës si Qendër Komunitare”.