Ministry of Education and Sports

Pranë jush në çdo orë e çdo ditë të jetës së shkollës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Kryeministri i vendit, Edi Rama vizituan sot gjimnazin “Ismail Qemali”, për të uruar fillimin e vitit të ri shkollor 2014-2015.

Ministrja Nikolla uroi maturantët, për këtë vit shkollor të rëndësishëm për ta dhe shprehu gjithë mbështetjen e saj për të qenë pranë tyre.

“Ju garantoj se do të jemi pranë jush për të mundësuar sukses dhe vetëm sukses. Kur të mbaroj ky vit shkollor e di që ju do të arrini rezultate po aq të mira sa maturantët e kaluar, për të vazhduar stafetën e suksesit të ismailsave”, tha ministrja.

Gjatë vizitës në gjimnazin “Ismail Qemali”, Ministrja Nikolla dhe Kryeministri Rama përgëzuan mësueset, nxënësit e së cilave kishin arritur rezultatet më të larta në Maturën Shtetërore 2014.

Kryeministri Rama, u ndal në reformat e arsimit parauniversitar, ku ndër të tjera theksoi se do t’i jepet fund mësimdhënies nga mësues jashtë profilit.

“Ne nuk kënaqemi me sa është arritur. Jemi inkurajuar me rezultatet e Maturës Shtetërore, por jemi të bindur se ka ende shumë për të bërë. Sapo kemi filluar një pjesë tjetër të reformës për mësuesit, duke synuar që në një kohë të shkurtër të përputhim profilet me orët e mësimit”, u shpreh Rama.

540 mijë nxënësit fillojnë sot vitin e ri shkollor 2014-2015, prej të cilëve 32 mijë ulen në bankat e shkollës për herë të parë.