Ministry of Education and Sports

Peshëngritja shqiptare në çatinë e Evropës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, priti ditën e hënë në ambientet e MAS Ekipin tonë Kombëtar të Peshëngritjes, i cili u kthye triumfues nga Kampionati Evropian i Peshëngritjes zhvilluar para pak ditësh në Tel Aviv. 
Ministrja Nikolla, duke mos fshehur lumturinë e saj për arritjet e mëdha të këtij ekipi, përgëzoi sportistët për rezultatet e arritura në këtë kompeticion ndërkombëtar, duke bërë që atë ditë Izraeli të fliste shqip.

Znj. Nikolla u shpreh e vendosur që, nëpërmjet politikave të duhura për sportin, bashkëpunimit dhe financimit, do t`i jepet Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes mbështetja që meriton. Ministrja garantoi mbështetjen e MAS për realizimin e objektivave të parashikuar në programin e qeverisë për sportin dhe theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit reciprok për përfshirjen e sportit, që në arsimin fillor deri në atë universitar. 

Në këtë kuadër, ministrja Nikolla i prezantoi sportistët me skemën e financimit për sportistët elitar, e cila tanimë do t’i siguroj këtyre sportistëve vlerësimin e merituar nga shteti shqiptar, por gjithashtu znj. Nikolla e njohu ekipin edhe me angazhimin e Kryeministrit Rama për mundësimin e kushteve moderne logjistike për stërvitjen e këtyre sportistëve në të ardhmen.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes falënderuan ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla për mbështetjen e saj për këtë ekip në Kampionatin Evropian dhe për pritjen që ministrja Nikolla ju kishte rezervuar këtyre sportistëve. Ata u shprehën optimistë për të arritur rezultate edhe më të mëdha në kampionatin botëror, për të nderuar flamurin tonë kombëtar e për t`i dhuruar medalje të tjera sportit shqiptar të peshëngritjes.

Ekipi Kombëtar Shqiptar i Peshëngritjes, arriti të merrte 6 medalje në lojrat e Kampionatit Evropian të Peshëngritjes, zhvilluar në kryeqytetin e Izraelit, duke zënë dy vende në podium. Erkand Qerimaj zuri vendin e pare duke u shpallur Kampion evrope, ndërsa Daniel Godelli zuri vendin e dytë duke u shpallur nënkampion.