Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi morën pjesë në përurimin e dy shkollave, një 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme, në Kodër Kamëz.

 

Në fjalën e saj Ministrja Kushi duke dhënë shembull historinë e suksesshme të shkollës së Krutjes e cila festoi 60-vjetorin e themelimit, tha se sot kemi dy shkolla, “Nënë Tereza” dhe “John F. Kennedy”  që e fillojnë rrugëtimin me një infrastrukturë bashkëkohore.

 

“Jo vetëm për infrastrukturën, por edhe kurrikulat e programet bashkëkohore, edhe mësuesit të trajnuar, të kualifikuar, të përzgjedhur në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’, tekstet cilësore e bashkëkohore. Pra sot kemi një start krejt tjetër dhe një përgjegjësi shumë herë më të madhe për t’ia dalë në misioni fisnik i edukimit të brezave,” – u shpreh ministrja Kushi.

 

Znj. Kushi u fokusua gjithashtu edhe tek kontributi i të rinjve shqiptarë në dobi të vendit, duke dhënë sërish shembullin e të diplomuarve të parë të shkollës së Krutjes, shumica e të cilësve pas diplomimit u rikthyen në vendlindjen e tyre për të dhënë kontribut, dikush si mjek, dikush si mësues, dikush si agronom.

 

“Detyrimin për të dhënë kontribut për vendin ku ke lindur, ku je rritur, ku je formuar unë besoj se duhet ta kenë të gjithë edhe sot.” – u shpreh ministrja. Nuk ka mision më fisnik se sa të japësh kontribut për vendin tënd.

 

Duke përmendur shprehjen e John Kennedy “Mos pyet se çfarë bën vendi për ty, por pyet çfarë mund të bësh ti për vendin” u shpreh se ky duhet të jetë misioni i çdo të riu.

Duke iu drejtuar edhe mësuesve, Ministrja Kushi kërkoi që të bëjnë më të mirën për nxënësit, duke përmendur edhe risitë që vijnë me këtë vit shkollor, abetaren unike, Lëndën TIK, 100 SMart Labet, projekti i ekipeve sportive, projekti i artit dhe zejeve që nis nga muaji janar, zgjerimi i projektit bëjmë detyrat e shtëpisë, etj.

 

https://fb.watch/g6nAMTwqA7/