Ministry of Education and Sports

Përmes sistemit arsimor të kultivojmë qëndrime në respekt të diversitetit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte dje e pranishme në çeljen e edicionit të 9-të, të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, ministrja Nikolla tha se ky festival filmi ka sjellë në gjithë edicionet e tij, jo vetëm pasionin e të rinjve për artin, por edhe mesazhe të rëndësishme që përcillen përmes filmave.

“Le ta ftojmë imagjinatën tonë, që përmes filmave, të lëshohet drejt një qëndrimi dhe reflektimi qytetar për të bërë më të mirën në drejtim të të drejtave të njeriut. Unë në detyrimin time si ministre angazhohem të zhvillojë përgjegjësi të reja që  të kultivojmë që në moshë të hershme, përmes sistemit arsimor, qëndrime në respekt të diversitetit dhe të të drejtave të njeriut”, tha Lindita Nikolla.

Ndër të tjera, ministrja tha se gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Ati i Shenjtë Papa Françesku,  përcolli mesazhe të forta për rininë shqiptare, në drejtim të respektit të diferencave, të respektit të njëri-tjetrit, duke zhvilluar edhe më tej kulturën e solidaritetit.

Të ftuar të tjerë që mbështesin festivalin ishin, Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Helmut Hoffman, Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Clive Rumbold si dhe  Kryetarja e bordit të festivalit, Antonella Scolaimero, përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut çeli siparin në datën 22 shtator. Deri në datën 28 shtator do të shfaq për publikun 48 filma të metrazhit të plotë, dokumentarë e filma me metrazh të shkurtër. Edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut do të zhvillohet këtë vit nën sloganin “Mos hesht”.