Ministry of Education and Sports

Partneriteti publik-privat, investime të reja në shkollën “Luigj Gurakuqi”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla zhvilloi sot, një vizitë në shkollën speciale “Luigj Gurakuqi”, në kuadër të investimeve të reja që janë bërë në këtë shkollë, financuar nga investitor privat.

Si rezultat i partneritetit publik-privat në favor të komunitetit, u mundësua rikonstruksioni i fasadës së njërës prej godinave shkollës, rinovim i mensës dhe kuzhinës me plotësimin e të gjithë elementëve të nevojshëm si dhe rinovimi i terreneve sportive.

Ministrja Nikolla shprehu mirënjohjen për investitorët të cilët, duke e kthyer vëmendjen nga ky komunitet fëmijësh, kanë kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës së shkollës. 

“Dëshiroj të shpreh angazhimin tonë të plot për vëmendje jo vetëm tek investimet, por ajo që është më e rëndësishmja tek ngjizja e një komunikimi të ri nga stafet pedagogjike të këtyre shkollave speciale, për të trajtuar çdo nxënës me dashuri dhe për të qenë krahë prindërve për të orientuar realisht projekte ndihme për secilin nga këta fëmijë me aftësi ndryshe”, tha Nikolla duke shtuar se këta nxënës janë qytetarët e pare për të cilët të gjithë duhet të bëhemi bashkë për të ofruar më shumë solidaritet. 

Ministrja e Arsimit deklaroi se do të mundësohen procese trajnimi për mësuesit, në mënyrë që çdo mësues të jetë i mirë përgatitur për aftësitë ndryshe të këtyre fëmijëve. Ministrja Nikolla dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësuan kontributin e investitorit privat, Z.Bernard Martini, duke ftuar edhe të tjerë që t’i bashkohen modeleve të tilla në shërbim të komunitetit.

Shkolla “Luigj Gurakuqi” për fëmijët më aftësi të kufizuara ka rreth 100 nxënës. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, transporti i nxënësve realizohet falas.