Ministry of Education and Sports

Oficerët e sigurisë në shkolla

Siguria e fëmijëve në shkolla është një prioritet për Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Brendshme por edhe për shumë institucione të tjera varësie. Siguri më tepër, në ambientet ku fëmijët do të studiojnë dhe kalojnë kohë të gjatë është thelbësore dhe me interes të shtuar edhe për prindërit e nxënësve.

Për të shmangur shqetësimet e prindërve dhe larguar ndodhi të padëshiruara në institucionet e dijes, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme kanë hartuar një projekt pilot në 15 gjimnazet e Tiranës për të zbatuar nismën ‘Oficerët e sigurisë në shkolla’.

Ky term, nuk e lidh aspak institucionet shkollore me praninë e policit klasik por nënkupton vajza dhe djem të trajnuar për të qenë pjesë e shkollës dhe për të monitoruar, menaxhuar dhe raportuar ngjarje jashtë natyrës normale të një institucioni. Evidentimin e problematikave në shkollë dhe trajtimin e tyre me orë mësimore apo edhe me këshilla frekuente është një tjetër nga detyrat e oficerit të sigurisë, i cili në shkollë do të ketë një shenjë dalluese por kurrsesi uniformë apo mjete policore.  

Këta oficerë do të jenë njerëz me integritet dhe të trajnuar për zgjidhjen e problemeve brenda shkollës me stafin akademik por edhe pjesë e takimeve me prindërit ku do të raportojë shqetësimet e hasura në ditët mësimore.

Ata do të kenë edhe rol koordinues me kolegët e tyre që patrullojnë pranë shkollave dhe do të përpilojnë raportim ditor, javor dhe mujor pranë Zyrës së Koordinimit dhe Monitorimit pranë DAR-eve.

Roli i këtij oficeri është paraparë si një mundësi shtesë për të rritur sigurinë në shkolla dhe parandaluar fenomene të dëmshme nga dhe për të rinjtë.  

Shkollat e sigurta sjellin progres në mësim-nxënie, promovimin e shembujve pozitivë në komunitetin shkollor dhe ulin shqetësimet e prindërve.